Deklaratat e Kryeministrit për prishjen e godinave historike në Tiranë, reagon Skena e Pavarur Kulturore

Gjatë takimit elektoral të ditës së shtunë, rikonfirmimi i Erion Veliajt si kandidat për Tiranën në zgjedhjet e ardhshme lokale u shoqërua me deklarata shqetësuese nga ana e Kryeministrit Rama mbi shembjen e godinave përreth Sheshit Skëndërbej dhe u rikonfirmua sërish qëndrimi i autoriteteve për vazhdimin e projektit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Skena e Pavarur Kulturore dënon deklaratat antiligjore të kryeministrit kundër trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës.
“Sheshi Skënderbej sot është një kryevepër urbanistike, e konfirmuar ndërkombëtarisht, e cila i bën Shqipërisë shërbime të mira duke i dhënë Shqipërisë çmime, komplimenta dhe foto të pafundme nga vizitorët. Por Muzeu Historik është ende një fantazmë e të shkuarës mu në mes të sheshit. Opera është në kantier dhe fatmirësisht këtë vit do të rihapë dyert dhe do të tërheqë shumë më tepër vizitorë në qënien e saj tërësisht të rilindur. Por në krah të saj Biblioteka Kombëtare është i madhi i munguar në transformimin tonë të derikëtushëm.
Teatri i kukullave është një karakatinë që na turpëron përpara fëmijëve tanë. Uroj dhe besoj që deri në fund të këtij mandati qeverisës ne do t’i hapim themelet e Blibliotekës së Re Kombëtare dhe të Teatrit të ri të fëmijëve, këtu pranë te garda, ndërsa në mandatin e ri të erionit do t’i hapim edhe dyert e këtyre dy institucioneve. Nuk harroj Teatrin e ri Kombëtar të cilin do ta ndërtojmë se sbën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, le ta bëjmë teatrin e ri kombëtar një kryevepërtë të konfirmuar ndërkombëtarisht ashtu si Qemal Stafën e vjetër, Arenën e Re Kombëtare.”, deklaroi Rama gjatë fjalimit të tij.
Në përgjigje të deklaratës së Kryeministrit ka reaguar ditën e djeshme Skena e Pavarur Kulturore (SPK), e cila dënon retorikën negative, anakronike, anti-ligjore dhe anti-kulturore të kryeministrit në aktivitetin elektoral të zhvilluar të shtunën më 23 Mars në Tiranë.
“Skena e Pavarur Kulturore gjykon se kërcënimet e kryeministrit për shkatërrimin e një pjese thelbësore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës nuk janë gjë tjetër veçse fjalë boshe. Ai nuk e ka shembur deri tani Teatrin Kombëtar jo se nuk ka dëshiruar ta shembë, por sepse deri tani nuk ka guxuar të vë në zbatim paligjshmërinë dhe anti-kushtetutshmërinë e planit të tij fillestar të Koncesionit Fusha.
Siç mund ta ketë kuptuar vetë kryeministri, projektligji i tij personal “Fusha” ka skaduar tashmë prej muajsh pa rezultat. Afati i vënë në ligj për “mbylljen e negociatave me kompaninë Fusha” brenda një muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, ka skaduar shumë muaj më parë. Ashtu si me koncesionet e tjera personale të kryeministrit, edhe ky nuk ka ecur përpara jo për mungesë dëshire, por për shkak të frikës se kjo shkelje ligji, mund të bëhet nga rastet e para në historinë e re të Shqipërisë që përfundon me dënim të shkelësve.”
Skena e Pavarur Kulturore gjykon se protesta e vazhdueshme e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe sakrificat e aktivistëve në mbrojtje të teatrit dhe, rrjedhimisht, të shtetit ligjor, ka dhënë frytet e veta duke ndalur një shkelje flagrante të ligjeve dhe të kushtetutës.
Duke u solidarizuar sërish me kauzen e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar për të mos lejuar shkatërrimin e tij dhe shkeljen e Kushtetutës së vendit, SPK dënon retorikën dhe politikën e ndjekur prej Kryeministrit “në vazhdën e degradimit të trashëgimisë dhe mungesës së vullnetit të institucioneve përgjegjëse që nuk ndërmarin asnjë veprim për ta mënjanuar këtë rrezik.”
Në vijim deklarata e plotë: