Dashuria fiton/ Gjykata në Slloveni lejon martesat dhe birësimet për komunitetin LGBTQ

Gjykata Kushtetuese në Slloveni vendosi të lejojë martesat e së njëjtit seks dhe birësimin e fëmijëve nga këta të fundit dhe të shpallë antikushtetuese ndalimim e tyre.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën 6-3 për të dyja çështjet, duke thënë se ligjet e Sllovenisë që lejojnë vetëm martesat dhe birësimet e seksit të kundërt shkelin një nen të kushtetutës kundër diskriminimit.
Diskriminimi ndaj çifteve të të njëjtit seks “nuk mund të justifikohet me kuptimin tradicional të martesës si një bashkim midis një burri dhe një gruaje, as me mbrojtje të veçantë të familjes”, -thuhet në vendim.
Vendimi, për të cilin gjykata tha se ka efekt të menjëhershëm, hap terren për të drejtat e komunitetit LGBTQ në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku disa vende e ndalojnë martesën me kushtetutë.
Qeveria e Estonisë iu afrua më së shumti në vitin 2016 duke rënë dakord të njohë çiftet e të njëjtit seks të krijuar në vende të tjera.
Kroacia, Republika Çeke, Hungaria dhe Mali i Zi kanë ligje që njohin partneritete civile të të njëjtit seks.
Vendimi i gjykatës në Slloveni, e cila ishte një republikë socialiste nën sundimin komunist si pjesë e ish-Jugosllavisë përpara se të bëhej një vend i pavarur në vitin 1991, erdhi vetëm disa javë pasi një qeveri kombëtare liberale mori detyrën, duke zëvendësuar atë të udhëhequr nga konservatorët e krahut të djathtë.
Ndërsa gjykata u dha ligjvënësve gjashtë muaj kohë për të ndryshuar ligjet ekzistuese në përputhje me vendimin, ndryshimet e kërkuara do të ishin gati brenda një ose dy javësh, tha Luka Mesec, ministri i punës, familjes, çështjeve sociale dhe mundësive të barabarta.
“Gjykata Kushtetuese na ka urdhëruar ta bëjmë dhe ne do ta bëjmë me kënaqësinë më të madhe”, tha Mesec.
Gjykata e mori këtë çështje pas ankesave nga dy çifte të të njëjtit seks, të cilët nuk mund të martoheshin ose të kualifikoheshin për të birësuar fëmijë./ HistoriaIme