Platformat e rrjeteve sociale po heqin rreth tre të katërtat e komenteve të cilësuara si raste të gjuhës së urrejtjes brenda 24 orëve, sipas të dhënave të BE-së.
Të dhënat e Facebook, Twitter dhe Youtube treguan një përmirësim përsa i përket fshirjes së komenteve të cilësuara nga audienca e tyre si gjuhë urrejtjeje. Para tre vitesh, ato nënshkruan në Bruksel një marrëveshje mbi Kodin e Sjelljes së përdoruesve të tyre. Instagram dhe Google+ nënshkruan marrëveshjen në vitin 2018.
Mesatarisht, kompanitë fshinë 72% të rasteve të raportuara brenda një dite, një shifër që sipas Komisioni Evropian u konsiderua e kënaqshme.
“Për të mbrojtur të drejtën e shprehjes, vetëm komentet që janë raste të shkeljes së ligjeve në fuqi duhet të fshihen” shtoi Komisioni në komentin e publikuar mbi rastin në fjalë.
Gjuha ksenofobe, duke përfshirë dhe gjuhën e urrejtjes ndaj emigrantëve, ishte hasur më shpesh në komente, ndjekur nga komentet mbi orientimin seksual dhe komentet kundër fesë muslimane dhe besimtarëve të saj.
Facebook-u ishte rrjeti social ku hasej më shumë gjuha e urrejtjes, me 1882 raste të raportuara brenda një dite, ndjekur nga Twitter-i me 1314 raste, Youtube me 889 raste dhe në fund ishin Instagram-i me 279 raste dhe rrjeti më pak i përdorur, Google+ me vetëm 28 raste të gjuhës së urrejtjes së konstatuara gjatë 24 orëve.
Përsa i përket evidentimit të rasteve, Facebook evidenton 92.6% të rasteve brenda 24 orësh ndërsa pjesa tjetër evidentohen dhe fshihen brenda 48 orësh.
Përsa i përket shteteve ku fshirja e komenteve ka qenë më efektive, në Qipro, Greqi dhe Bullgari fshihen të gjitha rastet e raportuara brenda një ditë, një avancim ky shumë i madh në krahasim me vitin 2017, ku Gjermania ishte shteti i vetëm ku rrjetet sociale kishin këtë normë suksesi./k.j