Avokati i Popullit: Janë shtuar ankesat e qytetarëve për ndotjen e mjedisit
Në një auditorium të organizuar nga Avokati i Popullit dhe Qendra Rajonale e Mjedisit, Totozani theksoi se janë me dhjetëra ankesat e qytetarëve për shqetësime që lidhen me ndotjen e mjedisit dhe prekin në mënyrë direkte cilësinë e jetës së tyre.
Në takimin me temë “Zhvillimi ekonomik i vendit dhe harmonizimi me politikat mjedisore”, u tha se disa nga këto raste që janë nën hetim nga ekspertët e Avokatit të Popullit.
“Përveç rastit të pusit në fshatin Marinzë, po ndjekim edhe ankesën e 45 familjeve që banojnë në lagjen ‘Heqimaj’, zona e Visokës, Fier, të cilat kanë prezantuar shqetësimin e ndotjes së ajrit nga aktiviteti naftënxjerrës. Peticioni i banorëve të fshatrave Dushaj dhe Koçaj të Fushë-Bulqizës, në qarkun Dibër, në të cilin ngrihet shqetësimi i dëmtimit dhe shfrytëzimit pa kriter i pyjeve në këtë zonë nga një subjekt privat. Sipas banorëve, subjekti i lartpërmendur kërkon të hapë një rrugë përgjatë pyjeve në zonat e Lugut të Menes, Mali i Kuq dhe Mali i Bardhë”, tha Totozani.
Përderisa çështjet mjedisore ndikojnë në cilësinë e jetës së njeriut, Avokati i Popullit Igli Totozani, tha se i konsideron si çështje që lidhen me të drejtat e njeriut.
“Ne kemi konstatuar se dëmtimi i elementeve mjedisore, ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e shtetasve shqiptarë dhe jeta e njeriut është një nga të drejtat kryesore. E veçanta e mjedisit, është se dëmtimi i tij, nuk prek një, por dhjetëra individë, ndaj edhe këto çështje marrin një rëndësi të veçantë”, theksoi Totozani.
/m.g