“Asfaltet” elektorale
Ingranazhet e ndryshkura të ekonomisë kanë nisur të lëvizin nga lubrifikanti i zgjedhjeve vendore. Qeveria hapi ‘thesin” për koncesionet, fshatrat turistikë, zonat industriale dhe ligje lehtësuese për biznesin. Kryebashkiakët që rikandidohen kthejnë përmbys qendrat e shumicës së qyteteve. Konsumi i karburantit në prill rritet me 40%. Të gjitha kostot dhe përfitimet e ekonomisë nga zgjedhjet
Votimet, qofshin për zgjedhje vendore apo të përgjithshme, i ndezin motorët e ekonomisë për mirë ose për keq. Edhe ky vit nuk ka si të bëjë përjashtim.
Në vend të rrugëve, rritjes së rrogave dhe pensioneve, prerjes së shiritave për fillime apo përfundime të veprave publike, qeveria socialiste që po testohet politikisht për herë të parë pas fitores me 1 milion vota të 23 qershorit të 2013 ka një ofertë më të sofistikuar. Në fokus janë bizneset dhe administrata lokale.
Po miratohen ligje që do të favorizojnë grupime të ndryshme të biznesit dhe, nga ana tjetër, është përshpejtuar me ritme marramendëse disbursimi i TVSH, i cili pothuajse ishte shuar në muajt e fundit të vitit 2014. Deri në fund të prillit janë rimbursuar 2.4 miliardë lekë dhe kjo shumë pritet të arrijë përgjatë dy muajve në vijim në 4.5 miliardë lekë sipas burimeve nga Ministria e Financave.
Bizneset të irrituara nga vonesat që u krijuan deri në fund të muajit shkurt tashmë shprehen të relaksuara nga gatishmëria e qeverisë. Nga ana tjetër, disa masa lehtësuese për bizneset, të planifikuara për paketën fiskale të vitit 2016 do të miratohen para zgjedhjeve. Është në diskutim ulja e TVSH për turizmin me 10% por, Ministria e Ekonomisë nuk është e sigurt, për shkak të kundërshtimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, tani kur edhe rezultatet e të ardhurave buxhetore janë zhgënjyese.
Por muaji maj dhe qershor do të jetë çelja e siparit për një seri investimesh strategjike. Deri tani është bërë gati baza ligjore për secilën prej tyre dhe në qershor pritet të lidhen kontratat e para. Më 31 maj mblidhen ofertat paraprake për parkun e Spitallës, Koplikut dhe Vlorës.
Ministria e Transporteve pret të finalizojë marrëveshjen me kinezët për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, pavarësisht negociatave të vështira.
Ministria e Ekonomisë, nga ana tjetër, sapo ka miratuar edhe ndërtimin e fshatrave turistikë në Himarë dhe Ishëm të Durrësit nga kompanitë Edonil Konstruksion” sh.p.k. dhe “XH & M” sh.p.k., Edil Al.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për turizmin pritet të jepen me koncesion edhe disa projekte të tjera në turizëm dhe porte gjithashtu.
Bizneset janë angazhuar në takime me grupimet politike më shumë se në çdo fushatë tjetër, edhe pse zgjedhjet janë vendore. Mbështetja politike për shumë biznese është shndërruar në mekanizëm mbijetese.
Por me afrimin e zgjedhjeve është parë që disa sektorë kanë rritur ndjeshëm konsumin.
Zhdoganimet e karburanteve në prill u rritën me 40% dhe Shoqata e Hidrokarbureve renditi si shkak kryesor konsumin e nxitur nga udhëtimet që bëhen për qëllime elektorale.
Por, në sfond të përfitimeve të momentit, zgjedhjet e kanë ndikuar ekonominë në afatgjatë më shumë për keq se sa për mirë. Hapja e thesit të parave publike rrezikon të rrisë borxhin edhe më tej, investimet e huaja stepen në vitet zgjedhore dhe turizmi gjithashtu. Shenjat e para janë dhënë.
Administrata fiskale ka ulur presionin për mbledhjen e të ardhurave duke vënë në vështirësi përmbushjen e detyrimeve vjetore që ka marrë qeveria në buxhetin e vitit 2015. Përfaqësuesi i FMN-së në vendin tonë, Jens Reinke, pohoi se, rënia e të ardhurave në tremujorin e parë është përtej parashikimeve dhe i ka kërkuar qeverisë shqiptare publikisht për shkaqet që kanë çuar në këtë situatë.
Projektet flluska
Ekzistojnë edhe disa projekte që ringjallen një muaj para zgjedhjeve dhe shuhen ditën e nesërme të votimeve. Qytetarët e Kukësit tashmë e kanë kthyer në barsoletë tek njoftojnë se. “Është çelur Aeroporti i Kukësit, por do të jetë i hapur deri në ditën e zgjedhjeve”. Pasi që nga viti 1999, ku nisi ndërtimi i tij, për çdo zgjedhje lokale apo parlamentare, politikanët, deputetët dhe kandidatë për kryetarë bashkie kanë premtuar vënien në punë të tij. Edhe këto zgjedhje nuk bënë përjashtim. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ka lajmëruar hapjen së shpejti të aeroportit për shërbimet low cost. Ministri ka njoftuar se, është në mbyllje të negociatave me koncesionarin e Rinasit për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare, por qytetarët e Kukësit e kanë të vështirë ta besojnë. I njëjti premtim është dhënë për të disatën herë edhe për vënien në punë të fabrikës së kromit në Kalimash, por sapo mbarojnë zgjedhjet, situata vijon njësoj. Në Kavajë lëshohen premtimet për ndërtimin e resorteve turistike që ngelen për vite me radhë vetëm premtime. Në Shkodër premtohen në çdo fushatë parqet industriale. Në Jug, premtohet parajsa turistike me resorte, porte jahtesh dhe me aeroporte turistike.
Blerina Hoxha/ Monitor.al
Shkrimi i plotë:
http://www.monitor.al/asfaltet-elektorale/