Arkitektët dylberë, apo kush na i bën rrethanat të paqta?

Një të enjte pa zhurmë, pas muajit të bujshëm të krenarisë në Maj, në Rrugë të Durrësit te D:4 në kat të tretë, ca njerëz u mblodhën për të folur për diçka aq të vjetër sa vetë njerëzimi, nevojën për siguri.
Mbrëmja filloi me një ekspozitë posterash nga arkitektë queer ndërkombëtar, veprat e tyre që shpaloseshin në periudha, vende dhe stile krejt të ndryshme. Sfida ndaj normave, ashtu si edhe vetë jetët e këtyre arkitektëve. Emra si Stanford White, Otto Eisler, Philip Johnson, Ellen Gray dhe Luis Barragán ishin disa nga personalitetet e përzgjedhura. Hapësira që i kishin krijuar për tu strehuar, për të pasqyruar identitete, dhe rebelizëm.

Në vijim, edhe siç edhe pritej u shtrua pyetja :’’ Çfarë do të thotë të kesh një hapësirë të sigurt, veçanërisht këtu në Tiranë?’’
Për ata që i ndanë opinionet e veta, një “hapësirë e sigurt” ishte një pyll i qetë apo plazhi i pafundëm. Për të tjerët, nuk kishte të bënte me vendndodhjen, por me njerëzit që të rrethojnë.
“Respekt. Aty fillon e gjitha,” tha dikush.
“Respekti është kur ti pranon njerëzit, edhe kur nuk i kupton.” Kjo fjali vetëvetiu u kthye në thëngjillin që mbante gjallë bisedën e kureshtjen.
Botëkuptimi për “respektin” mori trajta të ndryshme gjatë bisedës atë mbrëmje.
Njëri nga bashkëbiseduesit tha se ndihej i sigurt kur ishte plotësisht vetvetja, pa patur në subkoshiencë gjykimin e të tjerëve.
“Nuk dua të përballem me parehatinë e të tjerëve për faktin që unë jam vetvetja dhe sillem si i tillë.”
‘’Nuk kam nevojë për miratimin e askujt. Kam nevojë për respektin e gjithkujt.”
Ky mendim i mprehtë, pa pendesë përmbledh thelbin e gjithë bisedës. Ideja se një hapësirë e sigurt nuk është domosdoshmërisht një vend fizik, por një ndjesi, një emocion.
Kur diskutimi u rikthye te arkitektët queer që u përmendën më herët, na u kristalizua ideja se këto personazhe përveçse artiktektë ishin vizionarë. Ellen Gray, e cila krijoi hapësira të moderne që reflektonin sfidat e saj ndaj pritshmërive sociale.
Apo Philip Johnson, i njohur për “Glass House,” që përfaqësonte transparencën dhe izolimin cilësi që pasqyrojnë kompleksitetet e jetës queer. Këta arkitektë krijuan hapësira që ofronin liri dhe privatësi, dhe siguri herë për të jetuar vetë, herë për publikun apo për klientë.
Të bindur që koncepti i sigurisë është çdo ditë në evoluim si në shoqëri, por edhe brënda nesh, hap pas hapi do ta çojmë më tej këtë ekspozitë dhe dije që kemi formuar deri më tani.
Kjo ngjarje u përcoll me kontributin e Arnisa B., Safira Boeder, Rezarta Skëndaj, Henrike von Baeyer, dhe J.T. pranë hapësirës cooworking D:4. Ekspozita dhe biseda do të tjetërsohet në hapësira të tjera në kryeqyet së shpejti.