Aktivistët kundër bashkisë dhe policisë; Çfarë ndodhi në protestë?
Protesta e Shoqërisë Civile kundër ndërtimit të këndit të lojërave në Parkun e Liqeni nisi me dhurim lulesh e përfundoi me përplasje të dhunshme dhe 16 aktivistë të shoqëruar në polici.
Fillimisht aktivistët folën përpara kamerave, duke publikuar detaje të reja që, që sipas tyre, nxjerrin në pah mungesën e transparencës nga ana e Bashkisë.
“Nuk kemi një kontratë supervizimi sipas procedurave që kërkohen për ndërtim. Gjithashtu, sipërfaqja e ndërtimit, sipas dy matjeve nga vetë ne, rezulton se është 11 100 metra katrorë, dhe jo 4000 metra katrorë, sa ka thënë bashkia”, tha Eljan Tanini, përfaqësues i Shoqërisë Civile
Përplasja filloi kur protestuesit tentuan të vënë në zbatim, nismën e parlajmëruar “Adopto një çadër- Zapto Parkun!”, ku çdo qytetar që kundërshton ndërtimin e këndit të lojërave, u ftua të ngre çadrën në zonën ku po zhvillohen punimet.
VIDEO: AKTIVISTET PERPLASEN ME POLICINE GJATE PROTESTES
/VOA
Në momentin kur policia filloi shoqërimin ne komisariat të disa aktivistëve, disa të rinj qendruan përpara makinës së policisë duke i bllokuar rrugën e duke u përplasur me policinë. Gjatë këtyre përplasjeve një polic dhe një aktivist humbën ndjenjat dhe u dërguan për mjekim në QSUT.
Bashkia dhe aktivistët, dy versione për dëmitimin e efektivit të policisë bashkiake Dritan Hardhia
Kryebashkiaku Veliaj vizitoi në spital policin bashkiak Dritan Hardhia duke deklaruar se ai u plagos me lopatë në gjoks nga ata që i quajti “një tufë delirantësh që kacavirren për të dalë në televizor të tërhequr nga një parti “.
Nga ana tjetër, protestuesit dhanë versionin e tyre të ngjarjes duke publikuar pamje filmike të momentit të rrëzimit të policit bashkiak e duke e quajtur Veliajn “Kryebashkiak mjeran që dha shfaqjen e rradhës tek QSUT, duke mashtruar dhe gënjyër haptazi”.
Protesta vazhdon përpara komisariatit derisa lirohen aktivistët e ndaluar nga policia
Pas shoqërimit të disa aktivistëve në Komisariatin Numër 1, protestuesit u zhvendosën përballë komisariatit ku bllokuan rrugën duke kërkuar lirimin e të ndaluarve. Protestës përpara komisariatit dhe deputetët e PD, Arben Ristani, Flamur Noka dhe kreu i të djathtëve në Këshillin Bashkiak Leonard Olli, të cilët nuk u pritën mirë nga aktivistët.
Vetëm rreth orës 20:00, pas disa orëve në komisariat, u liruan të 16 aktivistët e ndaluar për shkak të përleshjeve me policinë.
/l.k./