A do t’ia dalim ne në Evropë?
Në samitin e BE-së u bisedua shumë për para, ndërsa problemet janë shtyrë. Në sfondin e krizës së refugjatëve Evropa nuk mund t’ia dalë më duke luajtur siç bën rëndom me kohën.
Ky takim i Këshillit të Evropës ishte më ndryshe, sepse nuk bëhej fjalë për ndonjë cikërrimë të politikës evropiane, por për “sfidën historike të Evropës”, siç thotë Angela Merkel. Por kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare të BE-së duket se nuk janë në gjendje ta zgjidhin këtë sfidë.
Krahasuar me samitin e fundit, të mbajtur para tre javësh, nuk është shënuar asnjë përparim i dukshëm serioz. Përkundrazi: krahas disa apeleve të zbehta e së paku realiizmin e shpejtë të vendimeve financiare nga takimi i fundit, hendeku mes kampeve të ndara lidhur me politikën ndaj refugjatëve është thelluar edhe më shumë.
Ndërkohë që mijëra njerëz në Bruksel, Berlin apo Calais i kalojnë netët duke ngrirë të ftohtit nëpër qendrat e refugjatëve, zonjat dhe zotërinjtë këshillohen në dhomat e tyre të ngrohta për “Hotspots”, shkaqet e valës së refugjatëve, marrëveshjet për kthimin dhe fondet e ndihmës për Afrikën – që janë gjithësesi bosh.
Krerët e politikës evropiane duket se ende nuk e kanë kuptuar se mijëra refugjatë vazhdojnë të vijnë dita ditës përmes Greqisë dhe itinerarit ballkanik drejt Evropës Qendrore. Jo pas një muaji apo vitin tjetër, por tani duhet vepruar.
Shumë elementë të veçantë nuk përputhen mes tyre. Ç’dobi ka përbetimi për ruajtjen e kufijve të jashtëm BE-së kur nuk është e qartë se kush duhet t’i pranojë dhe t’i shpërndajë më tej refugjatët? Ç’dobi ka regjistrimi i njerëzve në “Hotspots”, nëse kjo nuk lidhet me strehimoret e mëdha, në të cilat të vendoset se kush lejohet të vijë në Evropë dhe kush duhet kthyer menjëherë? Kush do që t’i ruajë kufijtë e jashtëm, duhet të pranojë edhe krijimin e zonave të tranzitit në kufijtë e jashtëm.
Një numër i madh i qeverive të vendeve të Evropës Lindore parimisht i refuzojnë refugajtët. Të tjerët nuk duan të izolohen tërësisht, por janë të kënaqur që Gjermania mban barrën kryesore. Ka madje edhe të tillë që fërkojnë barkun tani që Angela Merkel përjetësisht e suksesshme dhe mbretëresha e fuqishme në Evropë, është nën presion dhe ka probleme serioze.
Po a ka Merkel një plan?
Kancelarja vërtetë thotë se rregullat e Dublinit janë vjetëruar, por ajo nuk e thotë se si duhet të zëvendësohen ato. Që prej 25 vitesh vlejnë këto rregulla, sipas të cilave shteti në të cilin futen fillimisht refugjatët mban përgjegjësinë për ta.
Kryeministri hungarez Viktor Orban i referohet së drejtës evropiane për masat e tij diskutueshme që ndërmerr ai për mbrojtjen e kufirit. Ky njeri ideologjikisht ksenofob, për fat të keq, fiton pikë. Ai po siguron kufijtë e tij të jashtëm ndaj Serbisë dhe ka krijuar zona tranziti. Ai po bën pra atë që BE e parashikon si zgjidhje për Greqinë apo Italinë për të ndalur valën e refugjatëve. Orbani nuk është i vetëm. Polonia dhe Çekia i kanë dërguar atij policë në mbështetje.
Në këtë gjendje emergjence vendet e BE po përpiqen tani ta hedhin topin në fushën e Turqisë. Ajo tani duhet të kujdeset që refugajtët nga Siria të mbeten atje, të luftojë kontrabandistët dhe ta sigurojë më mirë kufirin e saj. Turqia kërkon për këtë një çmim të lartë. BE-ja ëshë e gatshme të paguajë, të përshpejtojë liberalizimin e regjimit të vizave për turqit dhe ta vlerësojë presidentin Tayip Erdogan si një demokrat të vërtetë. Në Bruksel shpresojnë se, nëse ky problem zhvendoset jashtë, nuk do të jetë më e nevojshme të grinden kaq shumë në Bruksel.
Burimi: Deutsche Welle