3 arinj shpëtohen nga robëria, por shumë të tjerë jetojnë ende në kafaz/ (Video)
Edhe pse ariu i murrmë është një specie e mbrojtur me ligj, rreth 50 prej tyre mbahen në kushte robërie në Shqipëri. Të dhunuar e të kequshqyer, këta arinj jetojnë jashtë çdo standardi higjenik dhe sanitar, shpesh pranë restoranteve ku shërbejnë si atraksion për klientët.
Por pas denoncimeve të organizatës ndërkombëtare “Four Paws”, dhe një peticioni të nënshkruar nga më shumë se 170 000 qytetarë dhe aktivistë nga e gjithë bota, me në fund diçka po fillon të ndryshojë.
Falë angazhimit të Ministrisë së Mjedisit dhe një marrëveshje të nënshkruar me organizatën “Four Paws”, është bërë e mundur që 5 arinj të dërgohen në qendrat e shpëtimit jashtë Shqipërisë dhe 8 të tjerë të jenë në proces dërgimi.
Tre prej këtyre arinjve, Tomi, Gjinja dhe Pashuku, pasi qëndruan rreth dy muaj në Kopshtin Zoologjik Tiranë, u transferuan sot drejt qendrës strehimore “Pylli i Arinjve” në Prishtinë.
Gjina, arusha që ushqehej me 20 birra në ditë:
Arusha Gjina, rreth 5 vjeç mbahej i mbyllur në këtë kafaz të vogël në Zerqan të Dibrës e pambrojtur nga dielli, shiu dhe era. Pronarët i jepnin deri në 20 birra në ditë për ta mbajtur të qetë.
Videot e mëposhtme, të shpërndarë nga organizatat “Four Paws” dhe “Bears Albania” tregojnë gjendjen e mjerueshme të Gjinës:
Historia e ariut Tomi:
Ariu Tomi u bë i njohur pas një artikulli të publikuar nga media britanike Daily Mail. Tomi mbahej i mbyllur në kafaz në një restorant në periferi të Tiranës ku detyrohej t’i “lutej” klientëve për ta ushqyer me patatina dhe ëmbëlsia. Ai shpesh shfaqte luhatje humori dhe sjellje depresive që e detyronin të kafshonte gjymtyrët e tij. Pronari i restorantit kishte pohuar për Daily Mail se shpesh harronte t’i jepte ujë dhe se e qëllonte me pushkë qetësuese.
Pashuku, Ariu që mbytej çdo ditë nga zinxhiri në qafë:
Edhe Pashuku jetonte në një kafaz të vogël pranë një restoranti. Ai çdo ditë vuante nga plagët dhe mbytja që i shkaktonte një zinxhir i lidhur në qafën e tij që kur ishte i vogël. Pashuku u shpëtua duke u dërguar në kopshtin zoologjik të Tiranës.
Këta arinj u dërguan jashtë Shqipërisë, duke gjetur një strehë përfundimtare larg keqtrajtimeve dhe kequshqyerjes.
Por çfarë do të bëhet me arinjtë e tjerë të murrmë në robëri?
Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me organizatat ka premtuar identifikimin e plotë dhe matrikulimin e arinjve që mbahen në robëri përmes vendosjes së mikrociteve. Gjithashtu është premtuar se po punohet edhe për ngritjen e një qendre strehimore për kafshët e egra në Shqipëri.
Pozitivja është se ekziston vullneti i mirë nga ana e institucioneve, por këto premtime duan kohë dhe para të realizohen. Ndërkohë ajo çka është më emergjente dhe e rëndësishme është ndërgjegjësimi i njerëzve për të kuptuar se një kafshë e egër e mbajtur në kafaz nuk është as argëtim as mënyrë për të fituar para, por veprim çnjerëzor që përcjell vetëm mizori.
/l.k./