12 rastet kur janë hetuar deputetët shqiptar- i pari Fatos Nano në 1994-ën
Nga viti 1992 deri më tani, në Kuvend janë regjistruar 12 raste votimi për heqje mandatesh të deputetëve. Të gjitha rastet janë votuar pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme. Pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet, apo në adresë të kujt deputeti ishte kërkesa, votimet për heqjen e imunitetit kanë marrë mbështetjen e të dyja palëve.
Mbetet për t’u parë tashmë votimi që do të bëhet në lidhje me heqjen e imunitetit për deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Ndërkohë që Tom Doshi ka edhe një precedent të mëparshëm. Në shkurt të 2012-ës Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj. Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të tyre, duke qenë se kishte dyshime për akuzën e “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme” për ngjarjet e “21 janarit”. Më pas kjo çështje u arkivua.
I pari që ka nisur siparin e heqjes së imunitetit ka qenë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në Tetor të vitit 1992, Kuvendi vendosi heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, në të cilën parashikohej se gjatë zhvillimit të hetimeve, kundër një numri personash të qytetit të Poliçanit për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë, kishin dalë të dhëna edhe për deputetin Ilir Meta.
Qershor 1994, Fatos Nano
Kuvendi i heq imunitetin kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nanos, me kërkesë të prokurorit të përgjithshëm. Organi i akuzës e akuzonte për disa krime dhe sidomos për përvetësim në favor të të tretëve. Kallëzimi kundër Fatos Nanos erdhi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i asaj kohe dhe menjëherë pas heqjes së imunitetit nisi hetimi. Në vitin 1995, iu kërkua Gjykatës së Kasacionit rigjykimi i vendimit gjyqësor.
18 shtator 1997, Gafur Mazreku
Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin deputetit Gafur Mazreku, me kërkesën të prokurorit të përgjithshëm. Kjo, pasi, deputeti Mazreku kreu një krim shumë të rëndë ndaj jetës e shëndetit të deputetit Azem Hajdari. Kuvendi, pasi miratoi heqjen e imunitetit të deputetit Gafur Mazreku, dha pëlqimin për ndjekje penale dhe arrestimin e tij.
25 shkurt 1998, Azem Hajdari
Kuvendi i hoqi imunitetin Azem Hajdarit, deputetit të Partisë Demokratike, pas kërkesës së prokurorit të përgjithshëm për hetime të mëtejshme. Gjithçka nisi pas incidentit në Mamurras, kur njerëz pranë tij, thuhet se nuk iu bindën forcave të policisë. Prokuroria e akuzoi deputetin e PDsë për “nxitje të akteve të dhunshme dhe fyerje të policisë”, ndërsa Partia Socialiste, që kishte shumicën në Parlament, si “kryesues të bandës së armatosur, që nuk i është bindur postblloqeve të forcave të rendit”.
27 dhjetor 2007, Lulzim Basha
Kuvendi i hoqi imunitetin ishministrit të Transporteve Lulzim Basha. Miratimi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme i hapi rrugë asaj që të hetojë Bashën për abuzimet që dyshoheshin se ishin kryer në rrugën DurrësMorinë. Nga hetimet e organit qendror të akuzës ishministri i Transporteve u akuzua për shpërdorim detyre
17 qershor 2008,
Fatmir Mediu Kuvendi votoi me 101 vota pro për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar më 25 prill heqjen e mandatit të deputetit për ishministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Arsyeja për këtë ishte hapja rrugë e hetimeve të tragjedisë së Gërdecit, e cila ndodhi më 15 mars 2008, dhe për këtë u akuzua edhe ishministri Mbrojtjes Mediu.
24 Prill 2009, Nikollaq Neranxi
Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin deputetit të LSIsë, Nikollaq Neranxit. Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se Neranxi kishte kaluar 21 herë mallra nga Greqia për në Shqipëri si ushqimore, kaseta dhe CD të ndryshme pa paguar taksën që duhet
24 shkurt 2011, Dritan Prifti
Në këtë listë hyn edhe Dritan Prifti. Këtij të fundit së bashku me Ilir Metën iu hoq imuniteti nga Parlamenti, pasi Prokuroria në bazë të videos që vetë Prifti dorëzoi në organin e akuzës, kërkoi heqjen e imunitetit me akuzën e korrupsionit.
/Gazeta Tema