Dita e sotme shënoi ditën e shtatë të grevës që po mbahet nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Minatorët e organizuar, gjatë kësaj jave, më të vendosur se kurrë kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të tyre të punës dhe kanë kundërshtuar veprimet e papranueshme të kompanisë Albchrome, e cila më 17 nëntor 2019, pushoi nga puna kyetarin e sindikatës, Elton Debreshi.
Sipas minatorëve, pushimi i Debreshit është një mjet presioni dhe kërcënim për organizimin e tyre sindikalist, i cili synon respektimin e të drejtave të minatorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Në kërkesat e tyre, përpos kthimit të Debreshit në vendin e punës, minatorët kërkojnë rritje të pagës, rishikim të normave të punës dhe pagesën për bojkotin e këtyre ditëve.

Sipas tyre, kompania po përpiqet dhe të injorojë grevën, duke detyruar minatorët të paraqiten në vendin e punës, veprim ky që bie ndesh dhe me vetë ligjet në fuqi dhe rregulloret e vendosura nga kompania.
Sipas ligjit për Sindikatat në Republikën e Shqipërisë, në nenin 10 të tij thuhet:
Anëtaresia në sindikatë dhe aktivizimi në veprimtarinë sindikaliste, nuk sjell asnjë kufizim të të drejtave të punonjësit dhe nuk mund të shërbejë si shkak që punëdhënësi
Sipas sindikatës, punëtorëve po ju ndryshohen vendet e punës dhe po detyrohen të punojnë në pozicione të cilat nuk i njohin, duke rrezikuar edhe jetën.
Pavarësisht vullnetit të punëtorëve për të qenë pjesë e grevës, autobusët e kompanisë që transportojnë punëtorët futen brenda rrethimit dhe nuk i lejojnë më që të dalin prej aty, duke i mbajtur edhe forcërisht në punë për disa turne, deklaron sindikata në njoftimin e fundit.
Të vendosur për kërkesat e tyre, minatorët kanë vendosur të mos tërhiqen nga greva, deri në një prononcim publik të kompanisë mbi kërkesat e tyre.