Xhuvani, një Hamlet femër në skenë
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2015/10/Luiza-Xhuvani-Hamleti-320x213.jpg)
E veshur me rrobën e Hamletit, Luiza Xhuvani do të shndërrohet më 10 tetor në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” në personazhin që për vite të tëra na kujton fatin e një tragjedie. Ajo do të jetë Hamleti, duke sfiduar për herë të parë në skenën e një teatri shqip, një rol mashkullor të luajtur nga një femër. Në teatro të ndryshëm të botës, Hamleti është interpretuar nga aktore femra, por në teatrin shqiptar kjo është hera e parë. Një tragjedi, për një aktore që jeta e përballi me një të tillë, e cila vjen në skenën e këtij teatri, me një rol jo të lehtë. Nën regjinë e Enke Fezollarit, “Hamleti” i Shekspirit do të vijë nën një koncept bashkëkohor, duke e zhvendosur figurën e Hamletit nga mashkull në femër, duke rritur dimensionin përfshirës të veprës dhe të personazhit. Luiza Xhuvani rikthehet në këtë shfaqje një vit pas interpretimit që bëri në monodramën “Zonjushë Margarita” nën regjinë e Kiço Londos. Ajo është e vetmja aktore me përvojë në një staf të rinjsh, duke nisur nga regjisori dhe aktorët e tjerë, duke u kthyer kështu në një busull që ngre standardin e “Hamletit”.
“Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja, më lart është vallë të durosh? / Hobe shigjetash fati të tërbuar / A të përballosh një det të turbullt helmesh / Me arm’ e fund t’u japësh. / Të vdesësh – të flesh / Jo më! – dhe me një gjumë të mbarosh / Çdo zemërderdhje, mijëra tronditje / Që trupi prej natyrës trashëgon / Ja një qëllim që duhet dëshiruar / Me gjithë shpirt – Të vdesësh – të flesh, të flesh? / E ndoshta të ëndërrosh! Ah! …” Ky monolog i famshëm i Hamletit do të interpretohet nga Xhuvani, e cila pritet të sjellë një Hamlet të munguar në skenën tonë. Një Hamlet që flet që me ecje e pa gjini dhe që rrit kuriozitetin nga vetë prania e Xhuvanit. Një vit më parë ajo u ngjit në këtë skenë e veshur si Zonjushë Margarita, me fustanin e zi të gjatë në një orë të gjatë leksioni mbi jetën. Fjalët e saj, “gjërat e bukura në jetë do t’ju ndodhin aq rrallë, por kur t’ju ndodhin duhet t’i mbani fort …”, ishin ato që i merrje me vete si një këshillë pas shfaqjes. Me interpretimin në monodramën e Roberto Athayde ajo u vlerësua si “Aktorja më e mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2006”.
Kjo vepër u shfaq edhe në teatrin “Argo” në Athinë, ku u prit me ovacione nga publiku dhe kritika. “Jam e lumtur që pashë këtë aktore të përsosur dhe me një regji të jashtëzakonshme. Ishte një punë e mrekullueshme dhe u entuziazmova për nivelin e lartë të teatrit shqiptar”, do të shprehej aktorja greke, Xheni Stavropulu, e cila e ka interpretuar këtë rol më herët. “Mbeta e mahnitur nga interpretimi i aktores. Duke ndjekur vendin tuaj këto vite, kam kuptuar që, në qoftë se kultura bëhet pronë e popullit, atëherë kemi këto rezultate. Në qoftë se kultura nuk është tregti, nuk e tregtojmë, nuk e përdorim, atëherë është ky rezultat. Kjo që pashë sonte tregon një kulturë që ka filluar që në fëmijëri”, do të shprehej aktorja tjetër greke, Titika Sariguli./A.A.