Traditat e popujve indigjenë mund të ofrojnë zgjidhje për ruajtjen e biodiversitetit
Konsiderimi dhe përfshirja e njohurive të popujve indigjenë në praktikat bujqësore, mund të ndihmojë për të adresuar ndryshimin e klimës, sigurinë e ushqimit dhe rënien e numrave të jetës së egër.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPCC) publikoi të enjten një raport mbi marrëdhëniet midis tokës dhe ndryshimit të klimës, ku u jepet rëndësi traditave lokale të popujve indigjenë mbi menaxhimin e tokës, punimin e saj dhe mbrojtjen e resurseve.
Popujt indigjenë dhe komunitetet lokale nga 42 vende të botës reaguan: “Më në fund, shkencëtarët më të mirë të botës kuptuan atë që ne kemi ditur gjithmonë.”
Komunitetet deklaruan në një letër të përbashkët se ata luajnë një rol themelor në mbrojtjen e tokave dhe pyjeve në botë dhe se ato duhet të bëhen “partnerë në përpjekjet botërore për mbrojtjen e klimës”.
Një studim i ri nga Universiteti i British Columbia gjithashtu e mbështet këtë gjetje, duke sugjeruar që tokat e menaxhuara nga indigjenët mund të luajnë një rol kritik për të ndihmuar që speciet të mbijetojnë.
Mes një humbjeje alarmante të jetës së egër të denoncuar disa muaj më parë nga një panel i biodiversitetit të OKB, studiuesit në universitetin kanadez studiuan menaxhimin e tokës nga popuj autoktonë në Kanada, Brazil dhe Australi.
Ata arritën në përfundimin se popujt indigjenë janë shumë më të mirë dhe efektiv në menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe se toka që ata menaxhojnë ka më shumë biodiversitet.
Studimi u përqëndrua në më shumë se 15,000 zona gjeografike në tre nga vendet më të mëdha në botë dhe arriti në përfundimin se zonat e menaxhuara ose të bashkë-menaxhuara nga këto popuj kanë një prezencë shumë më të lartë të shpendëve, gjitarëve, amfibëve dhe zvarranikëve.
Tokat e mbrojtura, si parqet dhe rezervat e jetës së egër, u renditën të dytat për biodiversitetin më të madh.
Tokat indigjene kishin nivele të barabarta ose më të larta të jetës së egër sesa zonat e mbrojtura në shtetet e sipërpërmendura.
Ky është studimi i parë për të krahasuar biodiversitetin dhe menaxhimin e tokës në një zonë kaq të gjerë gjeografike, sipas autorëve.
Ata theksojnë se praktika e dëbimit të popujve indigjenë nga Rezervat Kombëtare të Mbrojtura dhe Parqet Natyrore dëmton popujt autoktonë dhe njëkohësisht ngadalëson në arritjen e qëllimit të ruajtjes së biodiversitetit, një nga sfidat globale më të vështira të viteve të fundit./k.j
Burimi: Euronews