Ditën e sotme, Historia Ime dhe Pro-LGBT zhvilluan online takimin mbi prezantimin e gjetjeve të raportit të monitorimit të medias mbi gjuhën e urrejtjes dhe asaj diskriminuese.
Eventi, pjesë e aktiviteteve të Tetorit Gjerman, u zhvillua përmes platformës Zoom, me pjesëmarrjen e Ambasadorit Gjerman Z.Peter Zingraf, Avokates së Popullit znj. Erinda Ballanca dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskrimimi z.Robert Gajda.
Ambasadori Gjerman z. Zingraf, në fjalën e tij përshëndetëse e vendosi theksin te roli i gazetarëve në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe asaj diskriminuese dhe se mbështetja për projektin “Gazetaria Etike në Shqipëri” dhe për projekte të tjera të ngjashme, synon të nxisë dinamika të reja debati në fushën e etikës në media në Shqipëri.
Pa u njohur ende me rezultatet, nga ato që po shohim dhe dëgjojmë çdo ditë, ne shohim se ka vend për përmirësim. Gazetarët dhe pronarët e mediave kanë një përgjegjësi të veçantë. Mënyra se si ata raportojnë rreth ngjarjeve ose përshkruajnë grupe të caktuara ose pakica ka një efekt në mënyrën se si audienca e përgjithshme i percepton këto grupe.
“Një aspekt tjetër është sigurisht hapësira dixhitale ku debati tenton të jetë më i dhunshëm, më i ashpër. Gjuha e urrejtjes është padyshim një problem, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Operatorët e platformave online, pronarët e mediave dhe gazetarët duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve dhe të shtojnë përpjekjet për të vendosur një vetërregullim efektiv. Zhvillimet e fundit në këtë fushë janë një hap përpara dhe ne vetëm mund t’ju inkurajojmë që të vazhdoni në këtë drejtim.”, deklaroi Ambasadori Zingraf në fjalën e tij.
Për Avokaten e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi është i rëndësishëm krijimi i aleancave të qëndrueshme midis institucioneve përkatëse, aktivisëve, gazetarëve dhe shoqërisë civile për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Znj. Ballanca në fjalën e saj solli në vëmendje përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe në sferën publike, e cila ndikon drejtpërdrejtë në portretizimin jo-etik të grupeve vulnerabël në media.
Nga ana tjetër, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskrimini e vuri theksin te grupet më të margjinalizuara si pakicat etnike, komunitetit LGBTI+ apo dhe përfaqësues të etnive të tjera në vendin tonë, të cilat janë subjekt i vazhdueshëm i gjuhës së urrejtjes, duke përshëndetur punën e kryer me monitorimin e medias nga ana e organizatës.
Për institucionin e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskrimini, është tepër i rëndësishëm fuqizimi i Aleancës kundër gjuhës së urrejtjes, një mekanizëm i krijuar nga këto institucione me ndihmën e Këshillit të Evropës.
Gjetjet e Monitorimit
Monitorimi i medias këtë vit përfshiu njëkohësisht mediat online dhe televizionet, ku u nxorën në pah jo vetëm raportimi jo-etik, por edhe gjuha e urrejtjes e cila nuk moderohet nga portalet online, si edhe nën-përfaqësimi i grave në mediat vizive dhe mos-përfshirja e minoriteteve në debatin publik.
Monitorimi është udhëhequr nga studiuesi i mediave Dr.Emiljano Kaziaj. Mediat online të përfshira në monitorim ishin balkanweb, Shqiptarja dhe Syri, ndërsa emisionet televizive të fashës kryesore orare ishin emisioni Open nga Eni Vasili, 360 Gradë nga Artur Zheji dhe Opinion nga Blendi Fevziu.
Ndër gjetjet kryesore të studimit mund të përmendim se ne mediat vizive, gjithsej në 109 seritë e tre emisioneve të monitoruara për këtë studim, kanë qenë 912 të ftuar, prej të cilëve 665 burra dhe 247 gra.
E shprehur në përqindje, 73 % e të ftuarëve ne emisionet e monitoruara kanë qenë burra dhe vetëm 27 %, gra.
Duke marrë parasysh dhe situatën e pandemisë, ku ka pasur një numër të madh emisionesh me të ftuar ekspertë e specialistë të fushave të një rëndësie të madhe për publikun si shëndetësia apo arsimi, vihet re se ka një mungesë të madhe të pjesëmarrjes së grave në emisione që perceptohen se trajtojnë çështje me interes të madh politik dhe shoqëror.
Gjatë gjithë periudhës së monitorimit nuk ka pasur asnjë të ftuar i cili të vetëidentifikohet si anëtarë i komunitetit LGBTI, apo minoriteteve të tjera në Shqipëri.
Përsa i përket mediave online, në 230 artikuj të evidentuar si jo-etike, gratë, përbëjnë grupin më të madh të prekur nga gjuha e urrejtjes, seksiste dhe diskriminuese me 68.9 % të artikujve të monitoruar.
Në raport me monitorimin e vitit 2019, vihet re një rritje të konsiderueshme në numrin e artikujve me gjuhë seksiste, në të gjitha mediat e monitoruara.
Gjuha e përdorur ndaj grave në media në më të shumtën e rasteve, lidhet me objektifikimin dhe seksualizimin e tyre, duke i mëshuar fotove dhe duke përdorur tituj sensacional me natyrë të nënkuptuar seksuale.
![](https://i0.wp.com/www.historiaime.al/wp-content/uploads/2020/10/Picture1.png?fit=1024%2C576&ssl=1)
Gjetjet e raportit, do të përdoren për hartimin e një manuali të raportimit etik për studentët e gazetarisë dhe në muajt në vijim pritet dhe mbajtja e 4 trajnimeve me studentë të gazetarisë në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë.
Raporti i plotë pritet të publikohet në rrjetet tona sociale në ditët në vijim.