Studimi: Komuniteti Rom dhe Egjiptian, probleme me papunësinë, arsimin dhe divorcet
Sipas INSTAT në Shqipëri jetojnë 8301 persona të komunitetit Rom dhe 3368 egjiptianë. Veç jetës në kushte ekstreme dhe larg vëmëndjes së strukturave shtetërore, papunësia është një nga problemet më të mëdha të tyre.
Sipas studimeve me temë “Romët dhe egjiptianët në Shqipëri” dhe “Profili i personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri”, në lidhje me arsimimin, punësimin dhe aksesin e tyre për shërbime të ndryshme publike, rezulton se shkalla e papunësisë për gratë rome dhe egjiptiane është shumë e lartë.
-SHKALLA E PAPUNËSISË
Vetëm 15 për qind e femrave rome janë të punësuara dhe pjesa më e madhe e tyre në punë si pastruese gjatë natës apo edhe në riciklim.
E njëjta situatë është edhe për femrat egjiptiane. Vetëm 13 për qind e tyre janë të punësuara dhe pothuajse në të njëjtët sektorë me gratë rome.
Studimet dhe anketat kombëtare tregojnë se analfabetizmi dhe paragjykimi janë arsyet kryesore të papunësisë.
– ARSIMIMI
Shumica e fëmijëve shqiptarë, rreth 97 për qind e fëmijëve në moshat 6-9 vjeç, ndjekin arsimin fillor, por për fëmijët romë kjo ndjekje e shkollës është vetëm në nivelin 55 për qind.
-MARTESA DHE DIVORCET
Në lidhje me martesat dhe jetëgjatësinë e tyre, në studim thuhet se martesat e hershme dhe prindërimi i hershëm është tipar kryesor i tyre.
Në moshën 20-vjeçare, 60 për qind e femrave rome janë të martuara, dy herë më shumë krahasuar me femrat nga mazhoranca.
Sipas INSTAT, divorcet në martesat mes personave të komunitetit Rom janë 9 herë më të larta se mesatarja e vendit.
Studimet në vend tregojnë se martesat dhe divorcet tek romët bëhen sipas mënyrës tradicionale të tyre dhe nuk lidhen zyrtarisht në Bashki apo ndahen në gjykatë.