Që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2014, shumë gjëra kanë ndryshuar në Bashkimin Evropian. Krizat e njëpasnjëshme shpeshherë pasqyronin një të ardhme të pasigurt për unionin, duke ngritur herë pas here dyshimet mbi projektin e BE-së, nëse duhet konsideruar i suksesshëm ose jo.
Me zgjedhjet e rradhës në më pak se një muaj, sfidat me të cilat Bashkimi Evropian përballet janë ende të shumta. Pavarësisht tyre, sërish projekti po shpëtohet nga shtetet e mëdha dhe sondazhet tregojnë dëshirën e qytetarëve të të vendeve të ndryshme për të jetuar në një Evropë të bashkuar. Më poshtë po ju paraqesim sfidat më të mëdha me të cilat Bashkimi Evropian u përball gjatë 5 viteve të fundit, disa prej të cilave mbeten të pazgjidhura dhe në prag të zgjedhjeve të tanishme.
1.Brexit
Një nga sfidat më të mëdha dhe nga ngjarjet më tronditëse për BE-në ishte votimi i britanikëve për daljen nga unioni. Fushata për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, e quajtur BREXIT, në fillimet e saj duke thjesht si një retorikë populiste e cila nuk do të arrinte të ndikonte politikën e brendshme të BE, por doli krejtësisht jashtë parashikimeve. Brexit mbetet ende i pazgjidhur. Bashkimi Evropian i ka vendosur afat Britanisë deri më 31 tetor të këtij viti për të dalë me një marrëveshje që pas miratimit nga parlemnti britanik, do të duhet të miratohet dhe nga qeveritë e të gjitha shteteve anëtare të BE.
2. Kriza e Eurozonës
Me fillesat e saj menjëherë pas recensionit të vitit 2008, kriza e eurozonës vazhdoi dhe gjatë mandatit aktual qeverisës së BE. Shtete si Greqia dhe Italia refuzojnë implementimin e masave shtrënguese në ekonomi, duke rrezikuar destabilizimin e mëtejshëm të monedhës së përbashkët.
3. Kriza e refugjatëve
Valët migratore nga lindja dhe përtej Mesdheut kanë shkaktuar një krizë të gjerë humanitare në shtetet pritëse të emigrantëve. Greqia dhe Italia mbajnë barrën më të rëndë të opritjes së emigrantëve në brigjet e tyre, ndërkohë që shtetet e tjera pernëdimore kanë alokuar me miliona euro për strehimin e tyre dhe shpërndarjen e barabartë midis shteteve anëtare. Rezistenca e disa vendeve si Hungaria, Polonia dhe Sllovakia, detyruan Gjermaninë të dyfishojë kuotat për pritjen e refugjatëve, duke ndezur dhe një tjetër debat mbi ndarjen e përgjegjësive brenda BE-së.
4. Terrorizmi
Siguria kombëtare e shteteve anëtare të BE është rrezikuar shpeshherë. Sulmet terroriste ndaj revistës Charlie Hebdo në Paris apo në teatrin Bataclan, shpërthimi në aeroportin e Brukselit, paralizimi i qendrave të transportit apo sulmet në qytezat e Krishtlindjeve dhe qendra tregtare, kanë rritur nivelin e sigurisë në shtetet anëtare dhe kanë shtuar dhe retorikën populiste përsa i përket mënyrës se si duhet të parandalohen këto sulme.
5. Kriza digjitale
Kriza e të dhënave digjitale dhe ekspozimit të tyre nga gjigangët e teknologjisë si në rastin e Facebook, detyruan Parlamentin Evropian të miratonte një rregullore të re mbi menaxhimin e tyre. Rregullorja GDPR e sapo prezantuar, duket të ketë përmirësuar situatën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe ka shtuar sigurinë online për shtetet nënshkruese të saj.
6. Jelekverdhët
Protestat e qytetarëve francezë kundër rritjes së taksave dhe politikave të Presidentit Macron, u kthyen shumë shpejt në lëvizje anti-sistem në shumë shtete anëtare. Tashmë jelekverdhët kudo në Evropë po shprehin hapur pakënaqësitë e tyre ndaj situatës aktuale përmes protestave të përsëritura, marshimeve dhe demostratave.
7. Mashtrimi i Volkswagen mbi emetimet
Një nga shtyllat e industrisë automobilistike të BE, Volkswage, u përfshi në një skandal mbi emetimet, ku shumë makina përshtateshin për të kaluar padrejtësisht testin e emetimeve të gazit karbonik në mjedis, duke tronditur jo vetëm tregjet e BE-së, por edhe duke nisur debatin mbi politikat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit.
8. Aktivizmi për klimën
Greta Thunberg është adoleshentja suedeze e cila nisi lëvizjen “Të premtet për të ardhmen” (Fridays for Future). Prej disa muajsh, gjimnazistë dhe nxënës shkollash kudo në shtetet e BE-së, po braktisin shkollën ditëve të premte për të marshuar në qytetet e tyre kundër mos-reagimit mbi ndryshimet klimaterike. Brezat e rinj po kërkojnë shtimin e politikave të gjelbra me synim mbrojtjen e mjedisit dhe të së ardhmes së tyre. Veprimet e iniciuara prej Thunberg, kanë nxitur disa shtete anëtare të ndryshojnë praktikat e tyre dhe po sensibilizojnë me mijëra qytetarë të tjerë dhe jashtë BE. /k.j