Raporti i ISSH: Sa është pensioni mesatar në fshat dhe qytet?
Pensioni mesatar i pleqërisë në qytet është 16 mijë e 500 lekë. Kjo sipas të dhënave të Insitutit të Sigurimeve Shoqërore të cilat tregojnë gjithashtu se të ardhurat mesatare të të moshuarve nuk janë më shumë se 17 mijë e 800 lekë në muaj.
Në librin e statistikave të ISSH, pasqyrohen të ardhurat dhe pensioni mesatar në fshat dhe në qytet për tre vitet e fundit. Ajo që vihet re nga këto të dhëna është se pensioni mesatar në qytet ka ardhur në rritje që nga viti 2012, ndërsa ai në fshat është ulur, shkruan “Shqiptarja.com”.
Në vitin 2012, pensioni në qytet ka qënë 12 mijë e 700 lekë, në 2013 është bërë 13 mijë lekë, ndërsa në vitin 2014 është rritur në 16 mijë e 600 lekë.
Të dhënat e ISSH tregojnë se pensioni i pleqërisë në fshat, ka ardhur duke u ulur. Në vitin 2012 ishte 7 mijë e 900 lekë, ndërsa në vitet 2013 dhe 2014 është ulur me 400 lekë.
Të moshuarit e gëzojnë pensionin mesatarisht për 22 vite
Mosha mesatare që një i moshuar e gëzon pensionin e tij është 22 vite. Të dhënat e ISSH-s për vitet 2012-2014, tregojnë se mosha mesatare e gëzimit të pensionit ka ardhur duke u rritur. Për meshkujt nga viti 2012-t në 2014-t është rritur me 4 muaj, konkretisht e kanë marrë pensionin për vitin 2014-t për 19.5 vite. Femrat e gëzojnë më shumë vite pensionin e tyre, kjo për faktin se e marrin 5 vite më herët se meshkujt. Një fëmër e gëzon pensionin për 25 vite nga 24.1 që ka qënë në vitin 2012-t.
Të moshuarit në fshat e gëzojnë pensionin më gjatë
Në fshat të moshuarit e gëzojnë pensionin më shumë se ata që jetjojnë në qytet. Në vitin 2012-t, pensionistët në fshat e kanë marrë pensionin 4 muaj më shumë se ata në qytet, ndërsa për vitin 2014-t, 12 muaj më shumë se ata në qytet. Për vitet 2012-t dhe 2013-t, pensionistët meshkuj në qytet e kanë gëzuar pensionin më shumë se ata në qytet me 7 dhe 3 muaj, ndërsa për vitin 2014-t pensionsitët meshkuj në fshat e kanë marrë 3 muaj më shumë se ata në fshat. Pensionistet femra në qytet e kanë gëzuar pensionin e tyre me shumë se ato në fshat për vitet 2012-2013 me 1-3 muaj.
Për vitin 2014-t, pensionistët femra në fshat e kanë marrë pensionin 2 muaj më shumë se ato në qytet, konkretisht 25.1 me 24.9 vite. Të dhënat tregojnë se mosha e gëzimit të pensionit ka ardhur duke u rritur, duke filluar që nga viti 2010-t, sidomos për pensionistet femra. Për femrat mosha është rritur me 17 muaj, ndërsa për meshkujt me 3 muaj.
/l.k./