Raporti: Diskriminimi dhe margjinalizimi bëjnë që romët të jenë më vulnerabël ndaj rrezikut të pashtetësisë
Sipas një raporti të ri të lëshuar sot nga Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve (ERRC), Rrjeti Europian i Pashtetësisë (ENS) dhe Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS), stereotipet negative, margjinalizimi dhe diskriminimi bëjnë që romët të jenë më vulnerabël ndaj rrezikut të pashtetësisë në Shqipëri.
Raporti tregon sesi pashtetësia shton llojet e ndryshme të diskriminimit që romët hasin në Shqipëri.
Pashtetësia shpesh kalon nga prindi te fëmija, të cilët duhet të rriten pa një shtetësi duke ndeshur pengesa për aksesin në shërbime bazë, si edukimi, shëndetësia dhe strehimi.
“Kam humbur shpresat pasi kam vite e vite që pres të regjistroj veten dhe fëmijët. Nuk arrij të kuptoj pse ky proçes është kaq i vështirë për mua dhe për të tjerë si unë në Shqipëri”- ka thënë Sonila, një grua rome 27 vjeçare në aktivitetin hapës.
Gjetjet nga ky kërkim tregojnë që kuadri ligjor në Shqipëri, megjithëse nuk është diskriminues në vetvete, nuk është hartuar si duhet për të adresuar llojet e ndryshme të diskriminimit të cilët romët pritet t’i hasin.
Komuniteti rom gjithashtu përballet me vështirësi të mëdha lidhur me aksesin në drejtësi në Shqipëri, pjesërisht për shkak të dështimeve burokrative nga ana e autoriteteve. Romëve që iu mohohet shtetësia dhe dokumentacioni përkatës shpesh nuk janë në gjendje të kërkojnë mbrojtje ligjore pasi iu mungojnë dokumentat e kërkuar për të provuar të drejtën e tyre për të kërkuar ndihmë ligjore.
Nicole Garbin, avokate në Qendrën Europiane për të Drejtat e Romëve, shprehu shqetësimin e saj lidhur me rëndësinë që nuk i jepet çështjes së pashtetësisë.
“Shqipëria ka detyrime që rrjedhin nga legjislacioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar për mosdiskriminimin, regjistrimin e lindjeve dhe të drejtën e një shtetësie, por këto nuk implementohen në praktikë” – tha Garbin.
Drejtoresha e Shërbimit Ligjor Falas Tiranë, Raimonda Bozo u shpreh se Shërbimi Ligjor Falas (TLAS) ka ofruar shërbime të ndihmës ligjore për personat e margjinalizuar në rrezik pashtetësie, por tani është koha e autoriteteve përgjegjëse shqiptare të veprojnë./M.B