Procesi i Berlinit: udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Berlin në fund të prillit

Franca dhe Gjermania kanë ftuar udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në një takim shumëpalësh që pritet të mbahet në Berlin më 29 prill. Në takimin e thirrur nga Merkel dhe Macron, do të priten të vijnë “përfaqësues të nivelit të lartë” të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë, Sllovenisë dhe Komisionit të BE-së, siç bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë gjermane për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Pjesë e rëndësishme e takimit do të jetë dhe diskutimi me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e problemeve të mbetura pezull.
Takimi mes tyre u konfirmua ditën e djeshme nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se është ftuar në Berlin bashkë me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç dhe aty janë ftuar njëkohësisht edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë që pas pezullimit tyë bisedimeve në vjeshtën e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatave kundër njohjes së pavarësisë. Në këtë takim pritet të diskutohet dhe pjesëmarrja e forcave politke serbe në zgjedhjet e pjesshme të 19 majit, ku pritet të zgjidhen kryetarët e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës.
Takimi është në vazhdën e procesit të Berlinit, një iniciativë e prezantuar nga Gjermania për shtimin e bashkëpunimit shoqëror dhe ekonomik midis shteteve të ballkanit perëndimor. Ende nuk dihen temat që priten të diskutohen më 29 prill, por në qendër të tyre do të jenë padyshim marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe ndalimi i dialogut ndërshtetëror mes dy vendeve. /k.j
Burimi: Zeri i Amerikës