Përjashtohen nga kontributet pensionistët dhe personat e papaguar që punojnë në biznes familjar
Pensionistët e vetëpunësuar që ushtrojnë aktivitet si profesionistë të lirë nuk do të paguajnë sigurime shoqërore e shëndetësore duke filluar nga 1 janari 2016.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, i cili ka hasur diskutime të ndryshme në seancat e mëparshme parlamentare, është miratuar mbrëmjen e djeshme me shumicë votash në Kuvend.
Përmes rregullimeve të reja që sjell ky ligj, synohet dhe heqja e detyrimit ligjor për pagesën e kontributeve nga personat që punojnë të papaguar në bizneset familjare. Derdhja e kontributeve për këta persona lihet në vullnetin e tyre. /l.k./