Njoftim për Shyp

Tiranë, 17 Maj 2024
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara
Sot, kemi dorëzuar kërkesën tonë për shpallje martese në Zyrën e Gjendjes Civile, bazuar në të drejtën tonë sipas legjislacionit shqiptar dhe sipas kërkesave mbi formën e lidhjes së martesës të përcaktuara nga Kodi I Familjes së Republikës së Shqipërisë. Neni 53 i Kushtetutës sonë përcakton, se “Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.” Ndërkohë, Kodi i Familjes e rezervon këtë të drejtë vetëm për çëiftet heteroseksuale, duke diskriminuar në bazë të orientimit seksual dhe në kundërshtim me garancitë kushtetuese çdo çift tjetër.
Fakti se martesa jonë nuk njihet ende ligjërisht nuk na pengon të nisim këtë rrugëtim të rëndësishëm. Kërkesa jonë për shpallje martese simbolizon hallkën e parë të një beteje të gjatë dhe të vështirë, por mbi të gjitha të drejtë. Ne jemi të vendosura të ndjekim rrugën ligjore dhe të respektojmë procedurat dhe institucionet e vendit tonë, duke sfiduar përmbajtjen diskriminuese të Kodit të Familjes, për të kërkuar njohjen e të drejtës sonë për martesë, në mënyrë të barabartë me çdo çift tjetër në Shqipëri.
Si një zgjedhje simbolike, në nisje të kësaj beteje ligjore kemi vendosur që ditën e dielë, datë 19 maj 2024, në tarracën e Bashkisë së Tiranës, një ambient publik i disponueshëm për përdorim nga taksapaguesit e qytetit për ngjarje të ndryshme, të lidhemi në martesë përpara Zotit dhe në prani të miqve tanë më të mirë. Kurorëzimi ynë do të realizohet nga dy pastorë nga Britania e Madhe, të cilët kanë pranuar të udhëtojnë posaçërisht për këtë rast.
I bëjmë thirrje opinionit publik dhe medias që të respektojnë vendimin tonë dhe këtë moment të rëndësishëm për ne. Kjo martesë fetare nuk është një provokim, sikurse perceptohet nga një pjesë e shoqërisë, por një manifestim i vullnetit tonë, dashurisë dhe përkushtimit 15 vjeçar ndaj njëra tjetrës dhe dy vogëlusheve tona, të drejtës sonë për të qenë të lumtura dhe për të krijuar familje, pas një tjetër beteje të gjatë ende të papërfunduar për njohjen ligjore të dy vajzave tona.
Në përfundim, theksojmë se qëllimi ynë mbetet lufta për barazi dhe të drejta të plota për të gjithë qytetarët, pa kurrfarë diskriminimi, duke përfshirë të drejtën për të krijuar një familje të ligjëruar dhe të njohur zyrtarisht.
