“Ministria e Çarsimit dhe Taksimit të Rinisë”

Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin kanë ndërmarrë sot një aksion simbolik pranë Ministrisë së Arsimit. Grupi i aktivistëve ka publikuar këtë fotografi ku në mënyrë simbolike e kanë shndërruar emrin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në “Ministria e Çarsimit dhe Taksimit të Rinisë”.
Reagimi i Lëvizjes Për Universitetin:
“Ne – studentë, pedagogë e qytetarë në mbrojtje të së drejtës për arsim – përmes këtij aksioni simbolik: u bëjmë thirrje të gjithë studentëve e qytetarëve të bashkohen në protestën e ditës së mërkurë për uljen e tarifave, haraçeve e gjobave të padrejta.
Këtu duhej të ishte ministria që duhej të kujdesej për arsimimin cilësor të të gjithëve, mbështetur në Kushtetutë, në bazë të meritës.Por jo:
Kjo ministri në 20 vite është kujdesur të rrisë tarifat – duke i bërë të papërballueshme, e të padrejta;
Kjo është ministri që shpik certifikime private gjuhësh – haraçe, për përfitime private;
Kjo ministri që vendos gjoba për studentët e masterit – gjoba, studentëve që për të ndjekur studimet u duhet të punojnë 7 ditë në javë.
Kjo nuk është ministri arsimi, por ministri çarsimi! Kjo nuk është ministria e studentëve!
Kjo nuk është ministri e dijes, por ministria e taksave, haraçeve e gjobave.”
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, aktivistët bëjnë thirrje për protestën e 24 Janarit kundër tarifave në arsimin e lartë. /l.k/