Lista e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, organizatat për të drejtat e personave LGBTI në Shqipëri, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT do të organizojnë disa aktiviete.
Aktivitetet do të nisin që në 14 maj me pedalimin e përvitshëm kundër homofobisë. Në rrjetet sociale ka nisur fushata sensibilizuese dhe inkurajuese për pjesëmarrjen e personave LGBTI në pedalim, me sloganin #Kurajo. E ndërsa mesazhi kryesor politik për këtë vit sipas organizatorëve, do të jetë ai i të drejtave të barabarta për familjet LGBT.
Një tjetër event simbolik në 14 maj, do të jetë lyerja e shkallëve të betonit para hyrjes së digës së Liqenit Artificial me ngjyrat e ylberit së bashku me grupin e ambientalistëve #PerPubliken. Eventi do të fillojë në orën 18:00 dhe do të vijojë me një instalacion me qirinj me temën “Out of the Closet”.
Paraditen e 16 majit, aktivitetet do të zhvendosen në Vlorë ku me mbështetjen e Qendrës rinore të Vlorës, do të shfaqet dokumentari SkaNdal në Universitetin e Vlorës dhe do të vijojë me një diskutim të hapur.
Si çdo vit, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT do të ndajnë edhe çmimet “Aleati i Vitit”, duke vlerësuar 10 personazhe/nisma, që kanë ndihmuar sadopak komunitetin LGBT në Shqipëri.
Këtë vit do të vlerësohen figura si Dewi van de Weerd – ambasadorja e Hollandës, Vullnetarët e “Peace Corps” për takimet informuese dhe edukuese në gjithë qytetet e Shqipërisë, Sonila Luzi – psikologe që ka punuar me disa raste kritike të personave LGBT. Eventi do të mbahet në qendrën COD në ambientet e Kryeminitstrisë.
Aktivitetet do të vazhdojnë në 17 maj, me “Festivalin e Poezisë” gjatë ditës dhe një festë në mbremje në një nga lokalet në zonën e ish-bllokut.
Aktivitetet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë do të mbyllen në 20 maj me mbrëmjen e bamirësisë “Përqafo diversitetin, mbështet progresin”. Event i organizuar nga Streha, shelteri i parë rezidencial për të rinjtë e pastrehë të komunitetit LGBT. Mbrëmja gala do të zhvillohet tek Pallati i Brigadave.
Aleatët e Vitit
- Dewi van de Weerd
- Elvira Dones
- Ola Bruko
- Peace Corps
- Alba Malltezi
- Organizata Politike
- Bojken Lako
- Kristina Voko
- Sonila Luzi