Hyn në fuqi ligji për armët e zjarrit, nuk përfitojnë personat me probleme familjare
Armët e zjarrit do të mund të jepen lirisht, në bazë të ligjit të ri për armët e zjarrit që pritet të hyjë në fuqi pas miratimit të akteve nënligjore përkatëse dhe udhëzimeve të Ministrit të Brendshëm.
Një fakt i tillë konfirmohet nga shefi i zyrës së shërbimeve ndaj të tretëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Dhimitraq Ziu. Sipas Ziut edhe pse lejet e armëve të zjarrit do të jepen lirisht, do të ketë edhe raste të kufizimeve. Kjo do të varet nga personaliteti dhe nga gjendja penale dhe situata familjare e personit.
Por ndërkaq ligji i ri parashikon edhe kontrolle të rrepta dhe penalitete për personat që do të pajisen me të drejtën e mbajtjes së armëve të gjahut apo të zjarrit.
Gjatë vitit të kaluar, policia e shtetit ka vendosur anulimin e lejeve për armët e zjarrit për rreth 400 raste, pasi janë gjetur me shkelje.