Elvira Dones s’mund të jetë besnike partie: “Të më ndjeni zotërinj nëse më masni me metrin tuaj”

Gazeta Mapo ka botuar një reagim të shkrimtares, gazetares dhe aktivistes për të drejtat e njeriut Elvira Dones, reagim që kjo e fundit e kishte postuar në faqen e saj në Facebook pasi kryeministri Rama kishte postuar një video ku Këngëtarja Anastacia njoftonte koncertin e saj në Tiranë që do i dedikohet luftës kundër diskriminimit të gruas. Mapo e titullonte artikullin: “Dones kundër Ramës: Diskriminimi luftohet me punë, jo palaçollëqe”.
Dones citohej se ishte shprehur: “Duke mos dashur të ul vlerat e këngëtares në fjalë. Në lëmin e saj ka publikun që i përket, ka shitur disqe (përsëri, në llojin e muzikës që bën), dhe shumë mirë për të. Por për organizuesit e këtyre nismave nga këto anë marr mundimin të them se betejat kundër formave të diskriminimit nuk janë palaçollëqe, por një punë serioze; se për të tilla nisma gratë shqiptare kanë nevojë të shohin në skenë artiste të angazhuara, të cilat me muzikën, mendjen e angazhimin e tyre janë realisht burim frymëzimi. Artiste që bashkojnë gjuhë, ide, tinguj, kultura”.
Mirepo në fund të shkrimit të saj, Mapo bëri këtë koment:
“Nuk dihet nga buron zemërimi i Dones kundër Ramës por duhet të kujtojmë që disa javë më parë ajo u përzgjodh nga vetë Rama për t’u bërë drejtoreshë e RTSH, por më pas emri i saj doli nga qarkullimi”.
Pikërisht këtij komenti i përgjigjet vetë Dones sot po në faqen e saj në Facebook që Historia Ime po e boton me lejen e autores:
“Ju përshëndes. Jam Elvira Dones. Asgjë për t’u mbajtur fshehur meqë publikisht interpretoni “ad libitum” e pa kërkuar një mendim timin.
Në përgjigje të kësaj hipoteze/pyetjeje/teorie të MAPO-s. Në shkrimin tuaj thoni: “Nuk dihet nga buron zemërimi i Dones-it kundër Ramës por duhet të kujtojmë që disa javë më parë ajo u përzgjodh nga vetë Rama për t’u bërë drejtoreshë e RTSH, por më pas emri i saj doli nga qarkullimi.”
Nuk kam asnjë zemërim sepse “e frustruar”. Nuk kam qenë, e nuk do të jem pjesë e një “besnikërie” partiake. Për këtë qëndrim timin dikur tërhoqa zemërimin e njërës palë. Dhe e cila nuk kuptoi asfare se mendimi im ishte jo e drejtuar ndaj tyre “ad personam”, por ishte në dobi të vendit tim, të cilit i kam qëndruar pranë. Ndoshta tani do tërheq zemërimin e palës tjetër…
Konstatoj sot se ajo që ende nuk mund të konceptohet, pranohet sot, në këtë vendin tonë, është pavarësia e mendimit, e çliruar nga prangat klanike të çdo palë sunduese.
Me një motivim të fundit e “naiv” se shërbimi radioteleviziv publik – më në fund – duhej t’i kthehej popullit të tij në mënyrë dinjitoze, u paraqita në rradhë si kandidatët e tjerë.
Por javë më parë shtypi më paraqiti si një të preferuar të kryeministrit sot në fuqi. Të cilit i kisha thënë, kohë më parë (në tashmë të largëtin vitin 2009), madje para se të bëhej kryeministër se çdo vend që aspiron progresin nuk mund ta bëjë këtë pa një shërbim radioteleviziv të pavarur, në shërbim të publikut shqiptar.
Besoj, edhe sot e kësaj dite, se ky popull ka nevojë e është i etur për dije të pavarur, për kulturë, për informacion që nuk u shkel syrin interesave partiakë, qeveritarë, klanikë Dhe e meriton ta ketë këtë.
Dhe nëse ka ende njerëz që mendojnë si isha “naive”, apo kisha ndonjë interes personal, më vjen keq, mendoni çfare t’jua ketë ënda…
Të më ndjeni zotërinj, nëse më masni me metrin tuaj. Do të mbetem një individ i lirë. KJO është ajo që nuk ju hyn dot në mendësi.
Nuk kam asgjë vetjake me zotin Rama, ashtu si nuk kisha dikur me ish krye-ministrin Berisha. Por do të përdor penën time në të mirë të këtij vendit, ashtu siç kisha premtuar, anì se ndoshta askush nuk do të më lexojë më këtu. Atje jashtë, ashtu siç lexojnë kolegët e mi e mendjet e tjera të hapura e të pavarura shqiptare, do të më lexojnë.
E kam dashur dhe do ta dua këtë vënd, në atë masë që ky vend e lejon veten të duhet.
Ajo që unë kam patur për zemër deri më sot ishin vetëm interesat e një populli të vogël, të vuajtur, dhe pré e çdo çizmeje të huaj që ka kaluar këndejpari dhe të klasave politike në këtë çerekshekulli, të cilat kanë luajtur me fatet e tij.
I uroj Radiotelevizionit shqiptar çdo të mbarësi. Dhe tani i kthehem punës sime”.
/k.p./
Fotot: elviradones.com