Deputetët e pashkolluar të Shqipërisë: Parlamenti i mbushur me deputetë me diploma fiktive dhe të dyshimta

Ditën e mërkurë, emisioni investigativ Top Story publikoi të dhëna mbi arsimin dhe eksperiencat e punësimit të deputetëve të Parlamentit.
Në emision paraqiten të dhënat e publikuara nga vetë deputetët pranë komisionit qendror të zgjedhjeve dhe investigimi na paraqet një situatë alaramante përsa i përket shkollimit të tyre dhe eksperiencave profesionale.
Janë të shumtë deputetët dhe politikanët të cilët kanë mbaruar shkollën në Universitete të dyshimta apo inekzistente jashtë vendit dhe një pjesë tjetër e konsiderueshme janë të diplomuar në universitetet e mbyllura në Shqipëri, të cilat janë quajtur shpesh herë nga Kryeministri dhe Ministria e Arsimit si kioska apo fabrika diplomash.
Lefter Koka, Niko Peleshi, Sadri Abazi, Rrahman Raja e shumë të tjerë, kanë mbushur CV-të e tyre me eksperienca dhe shkollime fiktive.
Deputeti socialist Sadri Abazi, kursin për shofer kamioni në Austri e paraqet në CV si diplomim nga Akademia (inekzistente) IRU. Lefter Koka, në kohën kur ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Durrësit rezulton pa shkollë të lartë dhe ka probleme në përputhjen e viteve të shkollimit me vitet e aktivitetit të Universitetit të Strugës (Universiteti i cili nga Koka në CV e tij emërtohet si Fakultet).
Doktoratura e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla, përpos rasteve të pastra të plagjaturës, dyshohet të jetë një doktoraturë e blerë online, me të cilën zoti Balla është diplomuar me merita “cum laude”. Për plagjaturë janë akuzuar dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ish-ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli si dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi. Kryemadhi bën pjesë dhe në grupin e deputetëve që s’kanë ushtruar asnjë ditë profesionin e tyre, por eksperiencë të vetme profesionale kanë politikën. Në këtë grup përfshihen dhe deputetet studente të LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi.
Në investigim paraqitet dhe rasti i ish-ministres Lindita Nikolla, e cila gjatë protestave të studentëve është akuzuar vazhdimisht për mesataren e ulët 5.8. Gjithashtu studimet e masterit zonja Nikolla i ka kryer në një universitet privat, ku punon dhe bashkëshorti i saj./k.j