Bashkia Lushnje anulon financimin për librin me titull diskriminues
Foto: Vendimi i Bashkisë Lushnje për anulimin e financimit të librit me titull “Dashuria e një Jevge”
Në 26 janar të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Lushnjes vendosi t’i akordojë 100 mijë lekë nga fondi rezervë autorit Bashkim Xhafa për botimin e një libri.
Titulli i këtij libri “Dashuria e një Jevge”, u konsiderua diskriminues nga aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER), të cilët dërguan një ankesë pranë Komisionerit Kundër Diskriminimit.
“Ne kërkojmë të mos lejohet botimi me këtë titull. Përdorimi i kësaj fjale të zhargonit dhe jo të termit zyrtar për komunitetin egjiptian në titullin e librit, në këndvështrimin tonë përbën diskriminim”, ka thënë për Historia Ime Besnik Bodurri nga LRER në janar të këtij viti.
Këshilli Bashkiak anulon vendimin për botimin, por jo për shkak të diskriminimit:
Prefektura e Fierit e vlerësoi si shkelje përdorimin e fondit rezervë të bashkisë për botimin e një libri. Ndërsa më 20 Prill, Këshilli Bashkiak i Lushnjes mori vendimin për të anuluar përdorimin e fondit rezervë me qëllim financimin e librit “Dashuria e një jevge”.
Elida Gjermeni, Kryetare e Këshillit Bashkiak të Lushnjes në një deklaratë për BIRN një ditë më parë, tha se ka qenë kundër financimit të këtij libri, por jo për shkak të fjalës “jevg” e cila sipas saj është “fjalë që e përdorim dhe nuk mund të themi se diskriminojmë”.
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome: “Jemi të kënaqur që u anulua financimi”
“Pas ankesës dhe veprimit të Komisionerit këshilli bashkiak Lushnje vendosi anulimin e vendimit për financim të librit. Pavarësisht se nuk provohet lidhja direkte midis ankesës dhe anulimit të vendimit, ne jemi të kënaqur që u anullua financimi i librit me titull “Dashuria e një jevge”, tha për Historia Ime Besnik Bodurri nga LRER.
Termi “jevg” përbën një etiketim diskriminues dhe pezhorativ ndaj komunitetit egjiptian. Shpesh politikanë si Ben Blushi, Senida Mesi dhe personazhe publik si Henri Çili e kanë përdorur këtë term diskriminues gjatë deklaratave të tyre publike.
Ka pasur raste kur pas deklaratave kanë kërkuar ndjesë drejtuar komunitetit Rom, duke bërë që aktivistët të ndihen edhe njëherë të fyer për shkak të mungesës së dallimit midis komuniteteve Rome dhe Egjiptiane.
/l.k./