3 projektet e biçikletave në kryeqytet
Më në fund në një Tiranë që kërkon të marrë frymë lirshëm prej smogut, tymit të makinave dhe ndotjes nga faktorë të ndryshëm, kompania gjigande “Mobike” siguron një mjet të përballueshëm të transportit të përbashkët, të përshtatshëm për udhëtime të shkurtra urbane, duke reduktuar ndotjen dhe gjurmët e karbonit në qytetin tonë.
Në Ditën Botërore të Biçikletave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i “Mobike” Massimiliano Rubin, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që sjell në Tiranë 4 mijë biçikleta “Mobike”.
“Secili me celularin e vet, shkarkon aplikacionin dhe duke skanuar barkodin e biçikletës, mund ta përdorë atë. Gjatë kësaj jave do të bëjmë disa testime, kurse nisjen zyrtare e kemi në datën 8 Qershor. Për të gjithë ata që kanë pritur që teknologjia dhe mobiliteti të transfomojnë Tiranën, ka ardhur dita. Ky është momenti ynë për të transformuar Tiranën me një celular dhe një biçikletë,” tha Veliaj.
Mund të parkoni në çdo parking publik biçikletash dhe të shfrytëzoni të njëjtin aplikacion Mobike në më shumë se 200 qytete në mbarë botën.
Ened Mato do të ndjekë ecurinë e sistemit “Bike Share” në Tiranë, tashmë si kryebashkiak i Biçikletave. Ai tha: “Ky është plani im për një qytet që kërkon ajër të pastër. Qëllimi dhe projektet kryesore janë 3:
I pari: Segmenti nga kthesa e Brrylit tek Pallati me Shigjeta në të dy krahët e Lanës, të heqim pllakat e ta shtrojmë me asfalt, ta bëjmë korsi biçikletash dhe pistë vrapi!
Është gjithsej 4 kilometra dhe do të jetë superstrada e biçikletave dhe me shpejtësinë e një çiklisti, për 12 minuta arrin nga Ali Demi në Kombinat.
I dyti: Aksesi i këtij segmenti nga Godinat e Qytetit Studenti dhe gjithë universiteteve aty pranë që përllogariten në rreth 10.000 studentë dhe biçikleta.
I treti: Korsia e biçikletave përgjatë rrugës dytësore drejt Rinasit. Si një zonë industriale me lëvizje të shumta të mjeteve private krijon një trafik tejet ndotës dhe për vetë bizneset dhe njerëzit që punojnë aty. Hapësira është një trotuar prej 3 metrash, që për momentin përdoret pak nga këmbësorët, më shumë përdoret për parkimin e makinave. Kjo do i kursejë kohë të gjithëve për të shkuar në punë, do ulë ndotjen në atë zonë, dhe do i kursejë para atyre që shkonin më parë me makina.”
Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk do të hiqte dorë nga aktivizmi, duke u shprehur:
“Nuk do heqim dorë nga edukimi në shkolla, në kopshte, në çerdhe, në rrugë, nga akademia e dy rrotakut, dhurimi i biçikletave, pedalimi i sigurtë dhe gjithçka tjetër që bëjmë prej 10 vitesh tashmë. Si aktivistë do të mbrojmë korsitë dhe sinjalistikën e biçikletave në çdo projekt rruge, jo vetëm brenda qytetit por dhe në rrugët ndërurbane.”/A.A.