Raporto shkeljen e të drejtave dhe diskriminimin në Historia Ime

A jeni pjestar i komunitetit LGBTI, i komunitetit rom dhe egjiptian apo i çdo grupimi tjetër të margjinalizuar në Shqipëri? A keni përjetuar ju apo të njohurit tuaj shkelje të të drejtave themelore të njeriut, diskriminim, përjashtim social apo refuzim të shërbimeve publike, vetëm sepse jeni i ndryshëm nga shumica e njerëzve që ju rrethojnë?
Historia-Ime dëshiron të vijë më pranë jush, duke ju mundësuar që të ndani me ne historinë tuaj përmes platformës sonë të gazetarisë së angazhimit qytetar.
Ne jemi një grup i vogël gazetarësh dhe kemi nevojë për ndihmën tuaj në përmbushjen e misionit tonë për të raportuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, mbi raste të veçanta apo sistemike të diskriminimit gjinor apo racor, të përjashtimit social apo ekonomik dhe pasojave që ato shkaktojnë në jetën tuaj.
Ne duam të investigojmë se sa respektohen konventat dhe legjislacioni për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të mbajmë përgjegjës autoritetet në rastet kur këto të drejta shkelen dhe nëpërkëmben.
Lutemi të ndani në mënyrë të lirshme dhe të sigurtë përvojën tuaj me ne, por edhe sugjerime, këshilla apo dokumente që ju mund t’i dispononi. Ne duam gjithashtu t’u garantojmë se të dhënat tuaja personale do të trajtohen me konfidencialitet, do të aksesohen vetëm nga stafi ynë dhe nuk do të publikohen në asnjë rast pa marrë më parë miratimin tuaj.