“Ndaloni tsunamin e hidrocentraleve”, protesta mjedisore e sportistëve në Ballkan
Më shumë se 60 sportistë kanë nisur një fushatë sensibilizuese ndaj projekteve të ndërtimit të dhjetëra hidrocentraleve mbi parqe natyrore nëpër Ballkan. Lëvizja “Ndaloni Tsunamin e Digave” synon të rrisë ndërgjegjësimin për impaktin që do të kenë ndërtimi i digave në rrugët ujore të rajonit.
Sipas grupit “Save the Blue Heart of Europe”, në të gjithë Ballkanin planifikohen të ndërtohen më shumë se 2700 diga hidrocentralesh në vitet e ardhshme, duke përfshirë këtu edhe 113 projekte që prekin parqet kombëtare.
Protesta mjedisore do të zgjasë plot 35 ditë dhe do të përfshijë lundrimin me kajak në lumenj të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes, Maqedonisë, Malit të Zi dhe do të përfundojë në 20 maj në lumin Vjosa në Shqipëri.
Rastet më kritike sipas organizatorëve të protestave, janë në lumin Sana dhe Una në Bosnje, Vjosa në Shqipëri dhe digat që planifikohen të ndërtohen në parkun kombëtar të Mavrovës në Maqedoni. /m.g
Video: VOA