Korçë, u dëbuan nga Pazari i Vjetër, 37 familje jetojnë mes lagështirës dhe infeksioneve
37 familje Rome dhe Egjiptiane në qytetin e Korçës u dëbuan forcërisht 2 vite më parë nga vendbanimi i tyre pranë pazarit të vjetër.
Banorët e vendosur aty që prej vitit 1960, u detyruan të largohen nga Bashkia për t’i hapur rrugë restaurimit të Pazarit të Vjetër të Korçës.
“Pas shumë protestash dhe takimesh me përfaqësues nga shoqëria civile u arrit që këto familje të strehohen në ish-konviktin e shkollës bujqësore”, tha Brejdon Xhavara, aktivist për të drejtat e komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Video: 37 familje Rome dhe Egjiptiane jetojnë mes lagështirës dhe infeksioneve në Korçë
https://www.youtube.com/watch?v=EznEIHo_Pxo
Xhavara raporton se godina është e amortizuar dhe lagështira e çarja e tubacioneve ka ndikuar në përhapjen e epidemive sezonale, sidomos tek fëmijët.
“Bordumi është gjithë ujë dhe mushkonja, kështu ka qenë që kur kemi ardhur ne, kështu e kemi gjetur. Bashkia nuk ka ardhur fare të kontrollojë çfarë bëhet”, thotë një prej banoreve.
Strehimi në këtë konvikt fillimisht u premtua se do të ishte i përkohshëm dhe do të strehoheshin në banesa sociale sapo të përfundonte ndërtimi i tyre. Por këto familje jetojnë tashmë prej dy vitesh në këtë ambient, të rrezikuar nga sëmundjet dhe infeksionet. Nga ana tjetër, në vitin 2017 përfundoi ndërtimi i banesave sociale, të cilat u zunë nga familje të tjera.
“Familjet kërkojnë një zgjidhje për strehim afatgjatë, dinjitoz dhe të sigurt për fëmijët e tyre”, tha aktivisti Xhavara.
/l.k./