Ç’po ndodh me komunitetin Rom?
Muaji dhjetor shënon fundin e 2014-ës, bashkë me të edhe problemet, protestat, arritjet apo zhgënjimet e këtij viti. Në këtë podcast do të flasim për komunitetin Rom dhe Egjiptian dhe një ndër problemet e tyre më të mëdha që është strehimi.
Në territorin e Shqipërisë, krahas shqiptarëve banojnë edhe disa grupe të tjera etnike, ndër të tjerë edhe romët e egjiptianët. Madhësia e këtyre grupeve është ende e paqartë, por disa statistika thonë se këto grupe përfaqësojnë rreth 2.8% të popullsisë.
Ndonëse në vendin tonë komuniteti Rom dhe Egjiptian përfaqëson një përqindje më të vogël të popullsisë në krahasim me disa nga vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, Bashkimi Europian, ku Shqipëria aspiron të integrohet, e ka kushtëzuar proçesin e integrimit edhe me përmbushjen e disa kritereve politike, ku përmirësimi i të drejtave të njeriut dhe i kushteve social-ekonomike të romëve, janë pjesë e tij.
Pikërisht strehimi ka qenë një nga temat kryesore dhe të kohëve të fundit. Më konkretisht, bëhet fjalë për shpronësimin e familjeve rome në lagjen e Selitës. Për shkak të ndërtimeve të Unazës së qytetit që kalojnë në atë lagje, deri përpara disa javësh mendohej se dhjetra familje do të nxirreshin në rrugë pasi nuk zotëronin certifikata pronësie të objekteve.
Pjestarë të shoqërisë civile, organizatave rome dhe jorome kanë dalë në protesta që prej prillit të 2014 ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Ministris së Zhvillimit urban, por vetëm disa javë më parë, drejtori i ALUIZN-it në një deklaratë për shtyp tha se do të dëmshpërblehen të gjitha familjet që preken nga ndërtimet, edhe ato të pa legalizuarat.
Një strategji ndihme për të pasur nje vend strehim, është edhe shpërndarja e banesave sociale. Por aktivistët thonë se komuniteti rom pothuajse nuk përfiton fare nga ky shërbim. Përvec kësaj, sipas tyre problemi më i madh është mosinformimi që ka komuniteti për këtë ceshtje. Pra instiucionet përkatëse nuk informojnë komunitetet në nevojë për procedurat dhe kriteret qe duhen plotësuar. Marinela GREMI / Historia Ime