Vëzhgimi: Vijon zaptimi i hapësirave publike
Pavarësisht se kanë mbetur vetëm 24 orë nga nisja e aksionit të bashkisë, asnjë përpjekje për t’u larguar
Edhe pse kanë mbetur vetëm 24 orë nga paralajmërimi i kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, për lirimin e hapësirave publike, duket se zaptuesit nuk kanë bërë asnjë përpjekje për lirimin e tyre. Nga një vëzhgim i bërë rezulton se në disa zona kryesore në kryeqytet, ku trotuaret janë të zëna tërësisht nga shitësit apo karriget e lokaleve, pronarët vazhdojnë të qetë punën, ndonëse ka një afat për largimin e tyre që është data 14 gusht. Mirëpo, ende në zonën e tregut të Medresesë, shitësit vazhdojnë të shesin në trotuare, duke e zënë të gjithë këtë hapësirë.
Për këtë arsye, qytetarët detyrohen të kalojnë në rrugë, çka mund të jetë e rrezikshme për ta. Shitësit janë gjithandej, në këtë zonë, disa me karroca, të tjerë thjesht me disa kartonë ku kanë të futur mallin, ka edhe nga ata që në mes të trotuarit dhe pluhurit shesin bukë me qofte. Kjo është situata në tregun e Medresesë, ku halli i ka detyruar që në pluhur, shi të rrinë në mes të rrugës për të nxjerrë bukën e gojës.
Veç tyre, një tjetër problem i zaptimit të hapësirave publike është edhe në zonën e Bllokut. Karrige dhe tavolina të lokaleve të vëna në mes të trotuareve janë një problem më vete. Zaptuesit vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, pa u merakosur se kanë zënë një hapësirë publike dhe aq më tepër se kanë një urdhër për lirimin e tyre. Ky fenomen ndodh në një pjesë të mirë të zonave në kryeqytet dhe kjo gjatë stinës së verës është edhe më e dukshme. Edhe pse janë paralajmëruar disa herë e njëjta situatë shqetësuese vazhdon në kryeqytet.
Një tjetër zonë problematike për sa i përket zënies së trotuareve është edhe ajo e Don Boskos. Tregtarët e frutave dhe perimeve kanë zënë hapësirat duke e shtrirë shitjen e tyre edhe në rrugë. Diku tregtarët e frutave dhe perimeve, më tutje ata të rrobave të përdorura dhe të gjithë këtë rrëmujë e banorët e zonës dhe kalimtarë të tjerë në këtë zonë.
E njëjta situatë është edhe në zonën që ndodhet përballë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe në atë të Laprakës. Kjo është situata në disa prej zonave në kryeqytet dhe pritet që ditën e premte të nisë edhe aksioni për largimin e tyre. Rreth një javë më parë, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, dha ultimatum për zaptuesit e hapësirave publike. Kyebashkiaku Erion Veliaj ka lëshuar alarmin për gjendjen në të cilët ndodhet Tirana dhe Njësia 5, për standardin e shërbimeve.
Aksioni do të realizohet nga policia bashkiake në bashkëpunim më inspektoratin kombëtar për mbrojtjen e territorit. Çdo objekt që ka zënë trotuaret do të prishet. Sipas kryebashkiakut, të gjitha hapësirat do të kthehen në shërbim të atyre që u takojnë, që janë qytetarët. “Të gjithë ata që kanë okupuar hapësirat publike kanë një javë afat për t’i liruar këto hapësira. Në fund të javës tjetër do të nxjerrim urdhër ekzekutiv që ata që shesin në rrugë, lokalet që kanë nxjerrë karrige dhe tavolina në mes të rrugës, ata që kanë zënë parkingjet, çdo gjë do të sekuestrohet”, ka deklaruar më herët Veliaj.
/gazetashqip