TI: Shqipëria përmirësohet 5 vende në indeksin global të korrupsionit
Transparency International ka publikuar indeksin e perceptimit të korrupsionit. Në një shkallë vlerësimi nga 0 (shumë të korruptuara) në 100 (aspak të korruptuara), Shqipëria vlerësohet me 39 pikë ose në vendin e 83 nga 176 shtete. Mbi dy të tretat e 176 shteteve të monitoruara janë nën mesataren globale që është 43.
Transparency International shkruan se rezultatet e këtij viti nxjerrin në pah lidhjen mes korrupsionit dhe pabarazisë, të cilat “ushqehen” me njëra-tjetrën për të krijuar një rreth vicioz mes korrupsionit, shpërndarjes së pabarabartë të pushtetit në shoqëri si dhe shpërndarjes së pabarabartë të pasurisë.
“Në shumë vende njerëzit privohen nga nevojat e tyre më themelore dhe shkojnë në shtrat të pangrënë për shkak të korrupsionit, ndërkohë që të fuqishmit dhe të korruptuarit shijojnë jetën pa u ndëshkuar”, thotë Jose Ugaz, drejtues i Transparency International.
Në Ballkanin Perëndimor, raporti i fundit i Transparency International ia atribuon nivelin e lartë të korrupsionit dobësisë në zbatimin e ligjit dhe marrjen peng të të gjitha sferave të jetës publike nga politikanët për shkak të miqësive me biznesmenë të fuqishëm apo edhe rrjetet e krimit të organizuar.
Shteti më i korruptuar në rajon është Kosova, e renditur në vendin e 95, Maqedonia e 90-a, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria janë me pikë të barabarta, të renditura në vendin e 83-të. Të renditura më mirë nga vendet e rajonit janë Mali i Zi (64-t) dhe Serbia (72-të). Megjithatë të gjithë vendet e rajonit janë poshtë mesatares globale.
Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria dhe Kosova kanë një përmirësim të lehtë, ndërsa Maqedonia, në vitin zgjedhor 2016 ka bërë hapa pas duke u renditur në vendin e 90 nga i 66-ti një vit më parë.