“Ta shpëtojmë Valbonën”, marshim-protestë kundër ndërtimit të HEC-eve në Parkun Natyror
Përfaqësues të Shoqërisë Civile, ambientalistë, banorë të zonës së Tropojës marshuan sot nga parku “Rinia” drejt Kryeministrisë nën moton “Ta Shpëtojmë Valbonën!”.
Ky tubim i organizuar nga grupimi “Miqtë e Valbonës“, vjen pas vendimit të Gjykatës Administrative të datës 3 nëntor, i cili lejoi ndërtimin e tre HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Aktivistët e kundërshtojnë këtë vendim, duke deklaruar se HEC-et do të çojnë drejt shkatërrimit një prej resurseve më të rëndësishme natyrore dhe turistike në Shqipëri.
“Këta hidrocentrale në Valbonë, nuk bëjnë punë për asnjeri, nuk kanë përfitim. Nuk ka as përfitim, as punë për banorët e Valbonës. Do të prishet vendi për një fitim të papërfillshëm”, tha Catherine Bohne, aktivistja amerikane që jeton në Valbonë.
“HEC-et po sjellin edhe konflikt social, banorët po kapen me njëri-tjetrin. Kemi 34 të arrestuar për shkak të konflikteve, një të vrarë dhe një tentative vrasje për këtë shkak. Qeveria po bën atentat ndaj qytetarëve. Valbona është Park Kombëtar, duhet ruajtur”, tha Ervin Goci, pedagog i gazetariës dhe aktivist.
Edona Haklaj, vajza nga Tropoja që iu drejtua me një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama pak ditë më parë, bëri një apel gjatë protestës:
“Në letrën time i kam thënë të gjitha: “Mos ma prek Valbonën”. Nuk i përkas asnjë partie politike, nuk i jambashkuar asnjë partie, nuk i jam drejtuar asnjë partie, unë ipërkas Valbonës, i përkas Tropojës. Valbona dhe Tropoja i përkasin Shqipërisë”.
Foto – galeri: Protesta “Ta Shpëtojmë Valbonën”:
Ndërtimi i HEC-eve në këtë zonë ka sjellë deri tani rreth 40 protesta në kryeqytet edhe në Valbonë, aty ku po ndodh betonizimi dhe devijimi i rrjedhës së lumit. ”Protesta vazhdon pa afat deri në fitore!”- thanë aktivistët.
/l.k./