Studimi i BE-së: Plazhet e Shqipërisë janë të pastra
Raporti vjetor mbi monitorimin e ujërave të liqeneve dhe deteve në Europë tregon se Shqipëria ka tashmë plazhe dhe liqene të pastra. Sipas raportit, tashmë 95% të shteteve i përmbushin standardet për pritjen e turistëve në këtë sezon veror, sa i përket cilësisë së ujit.
Ujrat më të kristalt janë në Kroaci, Qipro, Gjermani, Greqi, Luksemburg dhe Maltë, të gjitha të vlerësuara të paktën me 9 nga 10 pikët maksimale. Nga ana tjetër, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, problematike duken ujërat e Italisë, Francës dhe Spanjës. Ndërsa Shqipëria ka marrë notë kaluese, së bashku me liqenet e Zvicrës.
Anketa vjetore ka survejuar 21.538 plazhe dhe liqene për pushuesit, ku përfshihen të 28-të vendet anëtare të BE-së, si dhe Zvicra dhe Shqipëria që nuk janë pjesë.
“Herën tjetër që do të bëni një zhytje, kujtoni që BE ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen pastër të ujërave” – ka thënë komisioneri i BE-së për Mjedisin, Karmenu Vella.
Cilësia e ujërave që shërbejnë për pushime, ka shkuar 95.1%, duke u rritur me 0.5% në krahasim me vitin 2013. Studimi është në veçanti një lajm shumë i mirë për Greqinë dhe Qipron, ekonomitë e të cilave mbështetën kryesisht në turizëm.
Raporti nxjerr përfundimin se rezultatet janë një lajm i mirë për turizmin në Europë, e cila është destinacioni numër 1 turistik në botë, kur merret si një e tërë, me plazhet, lumenjtë dhe liqenet që tërheqin shumë vizitorë.