Studentët e Shkencave Sociale, i vënë kyçin fakultetit

Përditësim: Bllokimi i dyerve të Fakultetit të Shkencave Sociale duket se ka dhënë rezultat. Kërkesa për të paguar me këste tarifën studimore për ata që nuk kanë mundësi, është pranuar nga drejtuesit e FSHS. Studentët do të kenë afat që ta paguajnë tarifën me këste deri në fund të këtij viti akademik.
Dhjetëra studentë të revoltuar nga pagesa e tarifave të universitetit, janë mbledhur sot përpara Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, dhe i kanë vënë kyçin derës së fakultetit. Ata kanë mbajtur në duar pankarta ku thuhej “Kush s’ka, s’paguan!”, pasi prej disa ditësh studentët janë lajmëruar që brenda muajit janar duhet të paguajnë tarifën vjetore të shkollës.
Studentët kanë paraqitur disa kërkesa, ndër të cilat shtyrja e pagesës dhe rikthimi i pagesës së tarifës me disa këste, pasi shumë fakultete kanë vendosur që pagesa e studimeve master duhet të kryhet njëherësh. Duhet kujtuar që në këtë fakultet pagesa shkon rreth 85.000 lekë të rinj në vit.
Në kërkesat e tyre, studentët i kanë kërkuar dekanit të FSHS dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, të anulojnë të gjitha vendimet që parashikojnë sanksione, si dhe kërcënimet për mosfutje në provime ndaj studentëve që e kanë të pamundur të paguajnë tarifën studimore.
“Nuk mjafton vetëm agresioni qeveritar me përcaktimin e nivelit të tarifave. Atij i shtohet dritëshkurtësia dhe arroganca e drejtuesve universitutarë në pranimin e këtij niveli tarifash dhe detyrimin e studentëve nëpërmjet sanksioneve për t’i paguar ato një orë e më pare”, shkruhet në faqjen e lëvizjes “Për Universitetin”, e cila prej më shumë se një viti proteston kundër reformës për arsimin e lartë.
Sipas një prej aktivistëve, Bora Mema, bojkotimi është ndërprerë pasi drejtuesit e Fakultetit kanë pranuar të marrin parasysh kërkesat e tyre. /m.g
Ndërkohë, gjatë protestimit në ambjentet e jashtme të FSHS, studentët kanë patur edhe përplasje me rojet private të fakultetit, duke mos i lejuar ata të futen në ambjentet universitare. /m.g