Studentët e Durrësit i bashkohen protestave kundër reformës së arsimit të lartë
Studentët e Universitetit të Durrësit, i janë bashkuar protestës së Lëvizjes “Për Universitetin” kundër reformës për arsimin e lartë.
Një grup studentësh protestuan sot në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, me pankarta në duar duke kërkuar kështu tërheqjen e reformës për arsimin e lartë dhe që drejtuesit e universitetit të dalin me një qëndrim mbi këtë reformë. “Xhepa bosh ëndrra e vjedhur e studentit”, “Jo rritje me nga 120 euro të tarifave”. “Stop! Taksuat ëndrrat tona” ishin disa prej pankartave që mbanin në duar.
Në deklaratën për shtyp, ata thanë se dënojnë dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit pak ditë më parë ndaj disa aktivistëve.
“Kërkojmë tërheqjen e qeverisë nga reforma e për Arsimin e Lartë, e cila rrjep studentët me tarifat e kripura. Drejtuesit e universitetit të Durrësit, të dalin publikisht me qëndrim të qartë mbi reformën e Universitetit”, thuhet në deklaratë. /m.g