Shpëtohen dy arinj të mbajtur në robëri në Sarandë
Pas rastit të denoncimit të ariut Tomi nga media britanike Daily Mail, ministria e Mjedisit duket se është venë në lëvizje. Në një deklaratë për shtyp thuhet se Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka shpëtuar dy arinj që mbaheshin në robëri në qytetin e Sarandës.
Arinjtë e murrmë, rreth 5 muajsh, mbaheshin në kushte të mjerueshme për qëllime përfitimi nëpër plazhet e bregdetit të jugut. Dy arinjtë do të qendrojnë në Kopshtin Zoologjik në Tiranë derisa të jenë tërësisht gati për t’u kthyer në habitatin e tyre natyror.
Sipas ligjit “Për biodiversitetin dhe mbrojtjen e faunës së egër”, ariu i murrmë është lloj i mbrojtur i faunës së egër.
Në një deklaratë për shtyp ministria e Mjedisit thotë se së bashku me organizatën “Four Paws” që do të ofrojë asistencë teknike, pritet të ngrihet qendra e parë strehimore për arinjtë në Shqipëri.
Foto: Bears-Albania
/m.g/