Qindra protestues në mbështetje të fëmijëve jetimë
Qindra qytetarë marshuan dje në shenjë proteste ndaj skandalit të përdhunimeve në jetimoren e Shkodrës dhe për të përhapur mesazh dashurie e përkujdesi ndaj fëmijëve në nevojë. Qytetarë dhe pjesëtarë nga shoqëria civile i kërkuan institucioneve shtetërore të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.
Protestuesit marshuan me pankarta dhe lodra fëmijësh në duar, ku shprehnin zemërimin për mungesën e kujdesit ndaj fëmijëve. “Nuk jeni vetëm! Për fëmijët jetimë! Për jetën! Për drejtësi!”, “Ju jeni zemra jonë”, Mos ua prishni lumturinë”, E dëgjove, e pe, denoncoje”, ishin disa nga mesazhet solidarizuese që u përcollën gjatë protestës.
Iniciatore e protestës ishte Edlira Çepani, që me anë të një eventi në Facebook arriti të mblidhte në marshim qindra njerëz.
“Më quani të çmendur, por unë ditën e HËNË do të dal te PIRAMIDA, qoftë edhe vetëm fare, me një pankartë që do të shkruajë “NUK JENI VETËM!” Dhe me një fletë gjigande ku kushdo që kalon të mund të shkruajë një mesazh dashurie e solidariteti për femijët jetimë të Shkodrës, të Durrësit e kudo tjetër!”, shkruhej në njoftimin në Facebook. /m.g