“Qençe nuk jetohet më; Ju zyrat, ne oborrin”, studentët protestojnë për kushtet e vështira dhe të drejtat e tyre
Muajt e fundit aktivizimi i studentëve me mbështetjen e lëvizjes Për Universitetin kanë qenë të shumta duke adresuar dhe sjellë në vëmendje të opinionit publik vështirësitë me të cilat përballen studentët në universitetet publike.
Dy ditët e fundit lëvizja Për Universitetin ka qenë në mbështetje të studentëve në Qytetin Studenti dhe studentëve në Fakultetin e Shkencave Sociale, duke protestuar me ta mbi problemet që ata kanë raportuar.
Me anë të disa parullave të nxjerra në dritaret e konvikteve studentët kanë denoncuar kushtet skandaloze me të cilat ata përballen në këto mjedise.
“Qençe nuk jetohet më!”, “Duam kushte!” dhe “Ku shkojnë paratë tona?!” ishin disa prej shkrimeve në parullat e shpalosura.
Dhomat e vogla në të cilat jetojnë 3-4 studentë së bashku, mungesa e ujit në tualetet kolektive, krevatet e papërshtatshëm, kushtet higjienike të cilat tregojnë për një situatë alarmante , pagesat e ulëta mujore krahasuar me kushtet janë disa prej problemeve për të cilat studentët në Qytetin Studenti kanë ngritur zërin dhe kërkojnë zgjidhje prej autoriteteve përkatëse.
E ndërsa ditën e sotme një tjetër protestë është zhvilluar në mjediset e oborrit të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Përmes një aksioni simbolik, me biçikleta e postera, studentët kanë kërkuar lirimin e hapësirës së tyre në mjediset e fakultetit nga makinat që zaptojnë oborrin.
“Po ne ku të rrimë?”, Oborri s’është parking”, “Ju zyrat, ne oborrin”, ishin disa prej parullave në duart e studentëve.
Me anë të kësaj proteste, tashmë kjo hapësirë është e lirë dhe në funksion të studentëve./M.B