Prolematikat e aksesit në shëndetësi të grupeve vulnerabël në Shqipëri
Aktiviteti përmbyllës i javës kundër homofobisë ishte “Aksesi në Shëndetësi dhe Mbrojtja nga Diskriminimi për grupet vulnerabël”, diskutim i organizuar sot nga Civil Rights Defenders.
Tryeza e diskutimit me përfaqësues nga organizata në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ngriti disa dhjetëra shqetësime të aksesit në shëndetësi për grupet vulnerabël duke filluar që nga proceset e gjata dhe të komplikuara për statusin e aftësisësë kufizuar; hospitalizimi i pacientëve me probleme të shëndetit mendor; shkeljet e të drejtave shëndetësore për personat interseks; barrierat e aksesit në shëndetësi për personat LGBTI e shumë problematika të tjera.
Blerta Çani nga Fondacioni Shqiptar i Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Erinda Bllaca nga Qendra për Rehabilitimin nga Trauma dhe Tortura, ndanë mendimin se PAK janë një nga grupet vulnerabël që i kushtohet më pak vëmendje si nga ana e qeverisë, donatorëve, shoqërise dhe medias.
Bllaca ngriti gjithashtu shqetësimin se statusi i aftësisë së kufizuar është kthyer në një proces të gjatë të komplikuar dhe të korruptuar. Probleme të tjera të ngritura për PAK janë mjekimi i tejzgjatur, hospitalizimi, vendimmarrja pa pëlqim, mungesa e transparencës etj.
Hospitalizimi i tejzgjatur ka bërë që sot në Spitalin e Elbasanit shfrytëzimi i shtretërve të ketë shkuar në 150% me më shumë se 340 pacientë të shtruar dhe vetëm tre mjekë përgjegjës. Shifra këto të ndara nga Kristina Voko nga BIRN Albania.
Olimbi Hoxha nga shoqata e Personave që jetojnë me HIV/AIDS tha se barrierat e aksesit në shëndetësi për personat LGBTI kanë të bëjnë me stigmën dhe diskriminimin, varfërinë, mentalitetin dhe barrierat kulturore, strehimin, barrierat ligjore e shumë të tjera.
Një rëndësi e madhe gjatë diskutimit iu kushtua personave interseks. Edlira Papavangjeli tha se ka informacion shumë të pakët për karakteristikat intereks si nga ana e mjekëve apo prindërve. Mjekët e shohin si çrregullim dhe përpiqen t’i “rregullojnë” duke i kthyer në seksin tradicional femër ose mashkull.
Stafi mjekësor nuk është shumë i njohur me interseksualitetin, e shohin si çrregullim dhe jo si ndryshim i zhvillimit të seksit. Në shqipëri nuk ekziston një ekip multidisiplinar mjekësor që të punojnë me foshnjat interseks si edhe me prindërit e tyre. Në rastin e ndërhyrjeve kirurgjikale ka edhe shkelje të të drejtave shëndetësore pasi bëhen nga mjekët me anë të kërkesave të prindërve, pa marrë miratimin e personave.
Sipas juristes Anisa Metalla nga TLAS, në Shqipëri shifrat e ndërhyrjeve kirurgjikale të regjistruara në QSUT kanë ardhur duke u shtuar, duke e çuar numrin deri në mbi 300 ndërhyrje në vit. Një tjetër problematikë lidhet me faktin se këto operacione regjistrohen nga mjekët si hiperplazi dhe jo interseks.
Për më shumë informacion rreth karakteristikave interesks, mund të ndiqni videon më poshtë.
I pranishëm në takim, Robert Gajda, Komisioneri per Mbrojtjen nga Diskriminimi tha se nevojitet bashkëpunim më ngushtë i organizatave të shoqërisë civile dhe institucionit të KMD për të denoncuar rastet e diskriminimit dhe për të ndikuar në ndryshimet e duhura ligjore. /m.g/