Pazari i diplomave, tani mund t’i blesh në “Facebook”
Për studentët, teza e diplomës është një angazhim që kërkon disa muaj pune dhe shërben si finalizim i njohurive të marra gjatë ciklit të studimeve. Por nëse ke disa para dhe një llogari në “Facebook”, shumë thjeshtë mund të gjesh dikë tjetër që ta bëjë këtë punë për ty.
Madje ke dhe mundësinë të zgjedhësh ofertën më të mirë, pasi në “pazarin online” të diplomave, eseve dhe projekteve ka edhe konkurrencë.
Në faqen online me emër “Punime seminarike, ese, diploma etj.”, një diplomë masteri kushton 400 euro dhe realizohet për 3-4 javë. Por nëse e ke me urgjencë, çmimi rritet.
Profili tjetër me emrin “Punime Diplome” thotë se ka një ekip profesional i cili është duke punuar mbi 4 tema masteri. Këtu teza e diplomës kushton nga 450 deri në 550 euro, në varësi të temës dhe kërkon 1-2 muaj për t’u realizuar.
Këta persona në mënyrë tërësisht të paligjshme vazhdojnë të shesin autorësinë e punimeve të pashqetësuar. Madje në shumë raste njoftimet për këto shërbime i gjen dhe në hapësirat e universiteteve.