“Nikolla dorëhiqu” protesta e studentëve përpara ministrisë së Arsimit
Siç kishin lajmëruar, studentë të lëvizjes “Për Universitetin”, prindër e mbështetës të tyre, protestuan sot përpara ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për të kërkuar dorëheqjen e ministres Lindita Nikolla. Ata thanë se i kërkojnë Nikollës të largohet nga posti për shkak të “vendimeve klienteliste që ka marrë në dëm të studentëve dhe arsimit të lartë publik”.
Përpara nisjes së protestës, studentët u përplasën me forcat policore, të cilët sipas studentëve kanë tentuar t’i ndalojnë të protestojnë edhe pse e kishin aprovuar njëherë lejen. Edhe gjatë protestës ishin të pranishëm forca të shumta policie.
“Ne paqësorë erdhëm, paqësisht ndenjëm e paqësisht po ikim, turpi i ngelet atyre që e kanë rrethuar ketë rrugicë sikur të ishin duke protestuar ndonjë grup ekstremist dhe jo disa studentë që kërkojnë të drejtën e tyre”, tha Klodi Leka një prej aktivistëve të lëvizjes Për Universitetin.
Lëvizja Për Universitetin proteston që prej dy viteve kundër reformës së arsimit të lartë.