Moratoriumi mbetet në letër, në Parqet Kombëtare vazhdon sëpata
Në Parkun Kombëtar të Prespës vijojnë të prihen pemë edhe pse kemi një moratorium 10 vjeçar për pyjet. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një vëzhgim në zonën e Prespës ku janë vënë re shkelje të vazhdueshme të moratoriumit.
“Grupe individësh, banorë të fshatrave brenda Parkut të Prespës janë gjetur duke transportuar dru të sapo prerë”, thuhet në raporti ne KLSH.
Grupi i auditimit të KLSH i ka pyetur banorët nëse vendin apo sasinë e prerjes së druve, por ata treguan se nuk u është ushtruar asnjë kontroll, raoprton “Monitor.al”.
Pyetësorët me banorët, administrata e pyllit nuk ushtron asnjë kontroll
Administrata që kujdeset për Parkun Kombëtar të Prespës duket se nuk ka numrat e mjaftueshëm të punonjësve për të mbikëqyrur terrenin. Banorët e zonës të cilët janë pyetur rreth prezencës së kësaj administrate në terren në shumë raste janë shprehur se nuk ka asnjë kontroll në zonë.
“Duke marrë parasysh përgjigjet e pyetësorëve drejtuar banorëve të parkut në lidhje me kontrollin që administrata kryen gjatë prerjeve të druve të zjarrit 46% e të anketuarave thotë se nuk kryhet asnjë kontroll, 40% janë përgjigjur se kryhet kontroll në nivel mesatar dhe 14% janë shprehur se kontrolli është shumë i lartë” thuhet në raport.
Moratoriumi vetëm në letër, njerëzit nuk e dinë se prerja e drurit është e paligjshme
Gjatë vitit 2016 dhe deri në shkurt 2017 një nga nismat ligjore më të lakuara ishte ajo e moratoriumit të pyjeve për një afat 10 vjeçar. Por pavarësisht pasqyrimit në media të kësaj nisme ligjore duket se ka lindur nevoja edhe për një fushatë të gjerë informimi e cila ka munguar. Të paktën këtë reflektojnë përgjigjet e banorëve që theksojnë se nuk janë në dijeni.
“Sa i përket pyetjes nëse banorët kanë informacione për prerje të paligjshme dhe tregtim të druve të zjarrit 44% e të anketuarve janë përgjigjur se nuk kanë asnjë informacion të tillë, 44% janë përgjigjur se kanë informacione të mjaftueshme për një gjë të tillë dhe 12% janë shprehur se kanë shumë dijeni për ngjarje të tilla” vlerëson KLSH. /l.k./