Kushtet e kopshtit 34, Tiranë, në rrezik shëndeti i fëmijëve
Edhe pse një pjesë e mirë e kopshteve publike në Tiranë i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë apo të pjesshëm, ka midis tyre, si në rastin e kopshtit 34, që janë komplet jashtë standardeve. Veç hapësirave të kufizuara për shkak të një konflikti pronësie, muret e tij janë me myk dhe lagështirë, shqetësues është edhe forma e ngrohjes së kopshtit, me sobë drush. Sobat e druve të shqyera, të vjetruara e të ndryshkura janë dyfish problematike dhe ngrenë pikëpyetje serioze për ndikimin në shëndetin e fëmijëve. Altin Habazaj, mjek pneumolog pranë Spitalit Universitar të Traumës, ka thënë për Revistën Shëndeti se djegia e drurit formon grimca në ambient që janë shkaktarë për sëmundje pulmonare, të cilat për momentin mund të jetë akute, por me kalimin e kohës mund të kthehen në kronike.
Fëmijët flenë në një dhomë, disa me krevate marinari, me këmbë hekuri, ngjitur me njëri-tjetrin në një ambient mbytës. Edukatoret nën zë pranojnë problemet me sistemin elektrik deri në gradën ku marrin flakë telat. Tapeti shumë i konsumuar dhe po ashtu edhe mobiliet apo mjetet e pakta didaktike. Sipas tyre, ndërhyrja e vetme e bërë në këtë kopsht ka qenë në vitin 2000 nga kisha ortodokse, ku është vendosur çatia dhe është lyer ambienti i jashtëm.
Drejtoresha e këtij kopshti shprehet se çdo ditë numri i mungesave është shumë i lartë. Dhe numri më i madh i mungesave justifikohet me problemet shëndetësore. Brenda një ndërtese të tillë ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës, duket fat i madh të mos sëmuresh. “Na sëmuren shumë shpesh fëmijët. Sidomos ata që duhet të rrinë gjithë ditës.
Sipas nenit 4 të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, Shtetet Palë marrin masa që institucionet, shërbimet dhe qendrat që përgjigjen për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve, të veprojnë në përputhje me normat e caktuara nga autoritetet kompetente, veçanërisht në fushën e sigurisë, të shëndetit, të numrit dhe aftësive të personelit të tyre, si dhe të kontrollit të duhur. Në këtë rast mund të thuhet se institucionet përgjegjëse i kanë shkelur të drejtat ligjore të fëmijëve.
Të pyetur sesa të kënaqur janë me kushtet në të cilat kalojnë ditën fëmijët e tyre, prindërit rrudhin buzët. Ata shprehen se pamundësia ekonomike është arsyeja e vetme që i detyron që t’i sjellin fëmijët këtu. Megjithatë, ata nuk ngurrojnë që të shprehin vlerësim për punën e edukatorëve, duke dashur t’i shkarkojnë ata nga përgjegjësia e fajit.
Ndërkohë, nga ana tjetër, vetë prindërit thonë se nuk janë organizuar asnjëherë për të kërkuar llogari ndaj institucioneve përgjegjëse që të kthejnë vëmendjen te ky kopsht.
Denisa Canameti, Elena Beta
Shkrimi i plotë: Shëndeti.com.al