Kopertina raciste e revistës polake – “Përdhunimi islamik i Evropës”
Një nga revistat javore më popullore në Poloni ka shkaktuar debate me kopertinën e saj të fundit. Kopertina e “wSieci” përmban imazhin e një gruaje të bardhë të veshur me flamurin e Bashkimit Evropian, e cila është duke u sulmuar nga krahë të errët meshkujsh.
Titulli kryesor i revistës është “Përdhunimi islamik i Evropës” dhe imazhi simbolizon ngjarjet e përdhunimeve në Keln gjatë festave të fundvitit.
Revista i referohet ngjarjeve në Keln, ku u denoncuan rreth 1000 raste dhunimi, vjedhjeje dhe përdhunimi gjatë ndërrimit të viteve. Megjithatë, së fundmi thuhet se vetëm 3 nga 58 të dyshuarit e arrestuar, ishin emigrantë nga Iraku apo Siria.
Aleksanda Rybinska, autorja e artikullit, thotë se çështjet e migrimit, janë rezultat i një përplasjeje të pashmangshme mes Islamizmit dhe Krishtërimit. Ajo beson se myslimanët po promovojnë në mënyrë të vazhdueshme luftën dhe evropianët po i injorojnë ndikimet negative të multikulturalizmit.
Të shumta kanë qenë reagimet nga qytetarët në rrjetet sociale. Ata e kanë krahasuar kopertinën me propagandën naziste dhe fashiste, të cilat përdornin imazhin e femrave duke u sulmuar nga meshkujt hebrenj të Afrikës Veriore.
“wSieci” njihet si revistë e ekstremit të djathtë në Poloni. Kjo nuk është hera e parë që artikujt dhe kopertinat e kësaj reviste ngjallin debat. Më parë ata kanë paraqitur në faqe të parë Angela Merkel si Nënë Tereza, apo portretin e ish kryeministres polake Ewa Kopacz veshur me burka dhe me bomba në duar. /m.g
Burimi: The Independent