Imazhi i 5-vjeçarit të gjakosur dhe të tronditur që përmbledh tmerrin e gjithë sirianëve
Imazhi i një 5-vjeçari sirian të plagosur e të tronditur nga bombardimet është bërë viral në internet. Videoja tregon një fëmijë që sapo është shpëtuar nga rrënojat e shtëpisë së tij në qytetin e Aleppos, një qytet sirian i shkatërruar nga bombardimet e vazhdueshme. 5-vjeçari duket i hutuar dhe i tronditur nga çfarë ka ndodhur.
Mahmoud Raslan, fotoreporteri që ka kapur imazhin, ka thënë për Associeted Press se fëmija është identifikuar si Omran Daqneesh. Fillimisht është menduar se gjatë shpërthimit ai kishte humbur prindërit dhe motrat e vëllezërit e tij, por më vonë është konfirmuar se të gjithë i kanë shpëtuar sulmit dhe po kurohen në spital.
Videoja dhe fotografia janë bërë virale në mediat sociale pasi shprehin tragjedinë e gjithë popullit sirian dhe janë pasuar me një lumë postimesh për ndalimin e luftës.
Kohët e fundit qyteti i Aleppo-s mori vëmendjen e ndërkombëtarëve për shkak se kriza humanitare është përkeqësuar dhe uji është ndërprerë që në fillim të muajit.
Më shumë se 400.000 persona kanë vdekur dhe miliona të tjerë janë larguar nga vendi për shkak të luftës në Siri. /m.g/