Historia Ime shpall fituesin e Konkursit të gjashtë të Fotografisë
Historia Ime shpall fituesin e edicionit të gjashtë të Konkursit të Fotografisë. Isa Myzyraj nga qyteti i Tiranës është fituesi i konkursit që ka për qëllim të mbështesë aktivizmin përmes gazetarisë qytetare.
Foto-reportazhi “Varfëria në Bulqizë” ngre një nga problematikat më shqetësuese dhe të diskutuara për një kohë të gjatë në Shqipëri. Fotografitë janë realizuar në muajin nëntor në qytetin e Bulqizës. Personazhet janë banorë të zonës që mbledhin çdo ditë krom për të siguruar jetesën.
“Kjo foto është realizuar me datën 18 nëntor 2017 në qytetin e Bulqizës. Nexhmia është 55 vjeҫ, e veshur me të zeza sepse i biri i ka vdekur para pak kohësh, ajo detyrohet nga kushtet ekonomike që të mbledhë krom ҫdo ditë. Në supe mban një thes me krom, dhe në dorë një kovë me krom të cilat kushtojnë rreth 170 lekë të vjetra” – Isa Myzyraj.
Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit është përcjellja e një mesazhi apo denoncimi i një problemi social përmes fotografisë. Ndër kriteret e tjera të vlerësimit janë cilësia dhe origjinaliteti i fotografisë, kompozimi dhe përputhja me çështjet prioritare të thirrjes. Fituesi u zgjodh me votë nga stafi i gazetarëve dhe fotoreporterëve të Historia Ime në bazë të mbledhjes së pikëve për secilin pjesëmarrës.
Punimi “Varfëria në Bulqizë” fitoi me 54 pikë nga 60 të mundshme. Dy punimet e tjera më të vlerësuara nga paneli ishin “Smogu mbi Tiranë” nga Genti Mile me 48 pikë dhe “Ndotja në lumin Shkumbin” nga Arlis Alikaj me 46 pikë. /m.g/