Harta e azilkërkuesve – Vetëm gjatë këtij viti, 30 mijë azilantë shqiptarë në Gjermani
Artikuj të shumtë i janë kushtuar çështjes së emigrantëve në mediat botërore. Gazeta gjermane “Der Spiegel” shkruan: “Emigracioni në masë: Çfarë po e udhëheq eksodin e Ballkanit?”.
“Der Spiegel” publikon një hartë me numrin e emigrantëve nga secili shtet i Ballkanit, që kanë hyrë në Gjermani gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2015 dhe kanë aplikuar për azil. Në hartë shihet se, shtetas shqiptarë që kërkojnë azil në Gjermani për periudhën 1 Janar 2015 – 31 Korrik 2015, janë plot 29,353 persona.
Numrin më të lartë të azilkërkuesve e përbëjnë shqiptarët e Kosovës, 29.997 persona.
Nga Maqedonia, për të njëjtën periudhë kohore, kanë kërkuar azil në Gjermani 5.514 shtetas.
Ndërsa nga Serbia 11.642 shtetas dhe nga BosnjeHercegovina, 2.981 shtetas.
Sipas medias gjermane, numri i azilkërkuesve është rritur në mënyrë të frikshme, 7,500 shtetas shqiptarë aplikuan vetëm në korrik, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar janë paraqitur vetëm 8000 aplikime.
Pas sirianëve dhe kosovarëve, shqiptarët janë bërë grupi i tretë më i madh i azilkërkuesve në Gjermani.
Eksodi tregon se plagët e luftërave ballkanike nuk janë shëruar ende shkruan “Der Spiegel”. Pasojat janë të shumta: mungesa e investimeve, sisteme të mirëqenies sociale të dështuara, korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia e lartë dhe varfëria.
Media shkruan për Kosovën se një grup politikanësh të korruptuar kanë okupuar gjithë pozitat e larta qeveritare duke çuar në një aparat të fryrë administrativ prej 100 mijë vetash.
Për Shqipërinë gazeta citon normën e lartë të papunësisë prej 30%. Vala e eksodit fillimisht nisi si thashethem, ndoshta e ardhur nga Kosova se Gjermania ishte në kërkim të fuqisë punëtore dhe mijëra shqiptarë emigruan duke pritur mrekullinë./m.g